Ju tregojmë pse po digjen kaq shumë makina në rrugët tona
Më shumë se 20 makina janë përfshirë nga flakët në 4 muajt e fundit, kryesisht për shkak të defekteve në paketën elektrike.
Në të shumtën e rasteve, policia thotë se këto makina kanë marrë zjarr në lëvizje.
Iliri prej vitesh punon si mekanik në servisin e tij dhe nga eksperienca rendit disa nga faktorët që shkaktojnë zjarrin në makinë.
"Kur ka ndonjë përplasje, ka rrjedhje, humbje të gazit ose benzinës, edhe më shumë kur ka masë makina nga bateria. Kur ka masë bateria për shembull një kabull kthehet në rezistencë edhe djeg veshjen e saj që është plastikë, aty krijohet zjarri te makina. Kur është makinë është frenato, fërkohet dhe kalon një temperaturë shumë të lartë. Ajo djeg gomën e saj edhe goma pastaj djeg tapicerinë e autobusit dhe merr flakë. Kjo është arsyeja," thotë ai.
Po ashtu ai rendit edhe disa këshilla për shoferët e automjeteve.
"Gjithmonë shoferi mund të ketë intuitën e aromës së djegies, për shembull kur ka një rrjedhje gazi, detyrimisht duhet ta çojë makinën në servisin më të afërt. Kur ka rrjedhje benzine, erë benzine detyrimisht duhet ta çojë në servisin më të afërt ose duhet ta fikë dhe të njoftojë karrotrecin ta marrë dhe ta çojë në servis të riparohet. Tjetra është kur ka aromë djegie kabulli, nëse ka mundësi duhet të stakojë baterinë," thotë Iliri.
Pak javë më parë, si pasojë e një defekti teknik në makinën tip Range Rover, e cila ishte e parkuar në garazhin e një pallati u përfshi nga flakët. Zjarri u përhap edhe në dy makina në tjera e ndërsa tymi që depërtoi në çdo dhomë të godinës e bëri të detyrueshëm largimin e banorëve.


