Postzgjedhjet, Shabani tregon pse përjashton bashkëpunimin me Bashën: Vendoret, prova e radhës për Thurjen

Nisma Thurje arriti të marrë mbi 10 mijë vota në zgjedhjet e 25 prillit por jo të mjaftueshme për të prodhuar një mandat deputeti në Kuvendin e ri të Shqipërisë.

Drejtuesi i Nismës Thurje, Endri Shabani, i ftuar në Rtv Ora me gazetaren Beti Njuma thotë se fuqia korruptuese e pushtetit shkon deri në 700 mijë vota por sfida e partisë së tij apo shumë të tjerave mbetet rikthimi i besimit tek 700 mijë të tjerë që nuk morën pjesë në këto zgjedhje.

Shabani: Fuqia korruptuese e pushtetit është 20-21% e elektoratit, 600-700 mijë vota. Në Shqipëri jetojnë 2.800.000 banorë, prej të cilëve 2.200.000 me të drejtë vote. Problemi qëndron te mobilizimi i këtyre të tjerëve, 700 mijë votues nuk votuan në këto zgjedhje. Sfida jonë është të sjellim këta në zgjedhje sepse nëse sjellim këta në zgjedhje çdo lloj manipulimi që do të bëjë qeveria nuk arrin dot të mposhtë angazhimin kaq të madh të qeverisë.

Përgjegjësitë për të thithur elektoratin gri Shabani i sheh sa te partitë aq edhe te ata vetë.

Shabani: Pse ja kemi dalë ne të mbledhim 10216 dhe jo 20 apo 30 mijë prej tyre. Është një proces afatgjatë. Ne duhet të përmirësohemi në organizimin tonë por edhe ata duhet të marrin një rol më aktiv në politikbërje. Nëse ata nuk votojnë pavarësisht se çfarë bëjmë ne në fund të ditës nuk do të ketë rezultat. Nuk dua ta shoh votuesin si viktimë, ka përgjegjësi në ushtrimin e kësaj të drejtë kushtetuese që është vota.

Opozitës, e cila akuzon PS për një masakër elektorale në 25 prill, i jep të drejtë.

Shabani: Qartazi është abuzuar me pushtetin. PS e ka ngritur në sistem me një megaoperacion. Ai ka dhe gurin dhe arrën.

Zhgënjimin me rezultatin nuk e fsheh por nuk e sheh arsye për tu demoralizuar dhe mos pasur shpresë.

Duke e vlerësuar si një proces, ai thotë se Thurja e hodhi hapin e parë dhe prova e radhës mbeten zgjedhjet vendore pas dy vitesh, të cilat nuk përjashtohet mundësia të jenë dhe më të afërta në kohë.

Postzgjedhjet, Shabani tregon pse përjashton bashkëpunimin me
Endri Shabani në intervistë me gazetaren Beti Njuma

Shabani: Në këto katër vjet ne si Nisma Thurje si grupim kemi shumë punë për të bërë për të ndërgjegjësuar ata që kësaj radhe nuk na besuan. Na duhet të organizohemi më mirë dhe të mobilizojmë më shumë njerëz. Katër vjet në historinë e një kombi nuk janë shumë. Nga ana tjetër kemi zgjedhjet bashkiake shumë shpejt, mund të jenë këtë vit, vitin që vjen. Ne e bëmë një hap. Ky është një proces. Shpresa që të zgjidhim gjërat brenda natës na ka sjellë këtu. Me një proporcional kombëtar sot Pano Soko do të ishte deputet.

Një bashkëpunim me PD dhe Bashën nuk e sheh të mundur, por nuk përjashton forcat e reja.

Shabani: Edhe sikur këto 10 mijë vota t'ja kishim bashkuar Bashës, diferenca është 100 e ca mijë vota, në botë nuk e  kishte kapërcyer dot Ramën. Së dyti unë nuk kam asnjë lloj garancie që ditën që ne bëhemi me Bashën këta 10 mijë votues do të vazhdojnë të besojnë po te ne. Këto nuk janë bashkime mekanike. A do kishte qenë më mirë që ne të kishim dalë me Vetëvendosjen dhe me Elton Debreshin? Unë kam bërë një përpjekje të jashtëzakonshme për të bashkëpunuar… nuk është e thënë që nuk do të ndodhë në të ardhmen.

Endri Shabani garonte i dyti në Tiranë, Durrës, Shkodër dhe Korçë qarqe në të cilat ka marrë 751, 127, 61 dhe 78 vota.