Zhduket “kuzhinieri i VIP-ave” në Vlorë, e ëma denoncon: Policia tallet, thonë se gatuan për Lulzim Bashën
Një 50-vjeçar rezulton i zhdukur në rrethana misterioze prej 9 ditësh në Vlorë. Nëna e moshuar e Arjan Shabanaj është kritike me punën e policisë për zbardhjen e rastit.
Arjan Shabanaj, 50-vjeç, nga Selenica, që shikoni në foto ka humbur kontaktet me familjen prej datës 21 prill.
Nëna e moshuar, me të cilën jetonte, thotë sipas dëshmive të miqve, se i biri ishte nisur drejt Vlorës për të marrë pjesë në mitingun përmbyllës të fushatës së opozitës.
Prej asaj dite, nga 50-vjeçari nuk ka asnjë gjurmë.
"Telefoni i ra 10-15 herë dhe u mbyll por jo sikur u mbyll vetë por sikur e mbylli njeri. Këtu dyshova."
Ajo thotë se ka bërë denoncim që më 22 prill, ndërsa ankohet për trajtimin e rastit nga ana e policisë.
"Kam vajtur 2-3 herë në dioë me shkop, më thoshin ik mos u bë merak se ai gatuan me Lulzim Bashën."
Tefta Shabanaj e përshkruan të birin si njeri të qetë dhe jo problematik, por humbja e papritur e pa gjurmë e ka bërë të dyshojë edhe për skenarin më të keq.
"Ai nuk kishte shoqëri të keqe, djalin ma vranë socialistët. Dua të ma gjejnë të vdekur se i gjallë nuk gjendet më ai."
Policia e Vlorës ndërkohë ende nuk ka dalë në përfundime për zhdukjen e 50-vjeçarit të njohur edhe si kuzhinieri i VIP-ave, pasi ai në të shkuarën gatuante në shtëpitë e personaliteteve të politikës.



