Apeli mbyll në burg Shernikun. Zbardhet dosja, dy autorët u fshehën pas vrasjes së policit Xhulio Prela

Disa kamera filmike që janë sekuestruar nga prokuroria e Lezhës dhe një foto e gjetur në telefonin e shtetasit Hysen Bajraktari, dyshohet se kanë nxjerë zbuluar dy personat, Nikoll Shernikun dhe Brilant Martinaj, në vrasjen e efektivit të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, Xhuliano Prela.

Ngjarja kriminale, ka ndodhur në 5 dhjetor 2020 rreth orës 02:00 të natës në rrugën Milot-Lezhë.

Ndërsa ditën e hënë, Gjykata e Apelit Shkodër, mbi bazën e provave të servirura nga prokuroria, ka vendosur të lerë në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg”, për Nikoll Shernikun dhe Brilant Martinaj.

Martinaj, vijon të jetë në kërkim si i dyshuar për vrasjen e policit, Xhuliano Prela, dhe besohet se qëndron në Turqi.

Ora News ka mundur të sigurojë vendimin e gjykatës, në të cilin sqarohet dinamika se si ka ndodhur ngjarja, para dhe pas kryerjes së krimit të rëndë, të ekzekutimit me disa plumba të Xhuliano Prelës.

“…nga kamerat e sigurisë të karburantit “Pretashi”, rezulton se në orën 02”05, automjeti i viktimës lëviz në rrugën interurbane kryesore në vendin e quajtur Gajush, me drejtim lëvizje Lezhë-Milot dhe kthehet pas rreth një minutë, ku pas tij duket dhe një automjet tjetër fuoristradë, marka dhe targat e të cilës nuk dallohen. Pasi qëndrojnë rreth 12 sekonda të ndaluar, në rrugë duket një person i paidentifikuar, i cili qëllon disa herë në drejtim të makinës së punonjësit të policisë dhe largohet me shpejtësi në drejtim të Lezhës…”-thuhet në vendimin e gjykatës.

Më tej evidentohet se nga kqyrja e pamjeve filmike të marra nga kompleksi “Univers”, rezulton se pas orës 02:06 në superstradë nuk kalon asnjë mjet tjetër, veç fuoristradës së përfshirë në këtë ngjarje kriminale.

Makina tip fuoristradë, e larguar nga vendgjarja 18 minuta më vonë është pikasur nga një kamera që ndodhet tek hidrovori në “Grykë Lumi”, dhe intenerari i saj thuhet në vendim përputhen me distancën e përshkruar.

Makina e përdorur në vrasje është në pronësi të Nazmi Xhijës, ndërsa ky i fundit ka treguar në polici se e kishte lënë makinën tek servisi i Naim Muratit për ta shitur.

Gjatë marjes në pyetje, Naim Murati ka treguar se makinën ja ka shitur një personi që quhet Hysen Bajraktari në vlerën financiare prej 600 mijë lekë të vjetra.

Më pas policia ka marë në pyetje Bajraktarin, i cili ka treguar se makinën e ka shitur tek Ylli Halili në 14 tetor 2020.

Policia ka “vrapuar” të gjejë dhe marrë në pyetje Ylli Halilin, por ky i fundit kishte ndëruar jetë në muajin nëntor 2020.

Ndërsa gjatë kqyrjes së telefonit të Hysen Bajraktarit, atij i është gjetur një foto e makinës dhe një personi.

Bajraktari, ka treguar se personin nuk e njihte me emër por dinte që e thërrisnin “Çerri” dhe banonte në Fushë-Kuqe të Kurbinit.

Përmes të dhënave operative, policia ka zbuluar se “Çerri” ishte personi me emrin, Nikoll Sherniku.

Me urgjencë policia ka shkuar në banesën e Shernikut për ta marë në pyetje, por ai nuk është gjetur në shtëpi.

Për vendodhjen e tij nuk kanë pasur dijeni as familjarët. Madje telefoni i Shernikut ka qëndruar i fikur pas ngjarjes.

Policia ka studiuar dhe pastruar pamjet filmike të karburant NBT Oil në Fushë-Milot, ku u identifikua se personi që ndodhej në fuoristradë dhe furnizohet me karburant është pikërisht Brilant Martinaj.

Martinaj nga verifikimet e kryera në sistemin TIMS ka rezultuar se është larguar në Kosovë, largim i cili ka ndodhur në 6 dhjetor 2020 në orën 14:08 minuta, vetëm një ditë pas vrasjes së Xhuliano Prelës.