83 mijë vota të pavlefshme/ Braho: Fleta me numra dështim, KQZ të analizojë shkakun
Juristi Ledio Braho, ka komentuar procesin e zgjedhjeve si dhe numrin e lartë të fletëve të votimit, të cilat kanë dalë të pavlefshme.
I ftuar në edicionin e lajmeve të Ora News, Braho shprehet se shkaku kryesor që ka pasur një numër të lartë fletave të votimit është se qytetarët kanë ngatërruar subjektin me kandidatin.
“Ishte një proces i vështirë, sidomos sfidave me kohën që kishte KQZ në lidhje me sistemin e ri zgjedhor, një nga të cilat ishte dhe beteja me fletën e votimit që arriti deri në Kolegjin Zgjedhore, dhe duket se ky është një nga shkaqet që kemi një numër të konsiderueshëm të fletave të pavlefshme. Deri më tani nuk është bërë një analizë në lidhje me shkakun e pavlefshmërisë, po për aq informacion sa kemi shkaku kryesor i pavlefshmërive është vota për dy subjekte të ndryshme. Qytetarët kanë ngatërruar subjektin me kandidatin, kanë votuar për një subjekt dhe për subjektin tjetër kanë votuar me idenë se po votonin për kandidatin dhe një nga shqetësimet që kishim për fletët me numra ishte pikërisht kjo, se fleta me numra do të sillte konfuzion.”
Sipas tij, nuk kishte kohë për të informuar më shumë votuesit se si duhet të hidhnin votën e tyre në fletë. Fleta me numra për Brahon ishte një dështim.
“Nuk ishte koha e mjaftueshme për edukimin e votuesve për mënyrën se si duhet të votonin. Votuesit nuk arritën që të shprehin vullnetin e tyre. Unë e konisderoj dështim fletën e votimit me numra.”
Ai shton se KQZ duhet të bëjë një analizë në lidhje me pavlefshmërinë e votave, teksa pohon se duhet që të bëhet një Kod i ri zgjedhor.
“Besoj se KQZ ka kohën e mjaftueshme të bëjnë një analizë që të ndryshojë për zgjedhjet e ardhshme. Duhet të bëhet një Kod Zgjedhor i ri që të shmangen këto probleme. Duhet që fleta e votimit të jetë më qartë.”

