Hetoi tjetërsimin e pronave te "Rana e Hedhun", Erjon Shehaj emërohet në krye të Prokurorisë Lezhë

Erjon Shehaj do të jetë drejtuesi i ri i Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në Lezhë.

Vendimi është marrë nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë në mbledhjen e datës 27 prill.

Referuar vendimit, Shehaj do të ushtrojë përkohësisht detyrën e drejtuesit të prokurorisë, duke zëvendësuar në këtë post Milan Laskajn, i cili ka qenë i komanduar si drejtues i prokurorisë së Lezhës.

Erjon Shehaj e ka nisur punën si prokuror në vitin 2012 dhe që prej asaj kohe është pjesë e prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në Lezhë.

Më herët ai ka qenë oficer i policisë gjyqësore tek Krimet e Rënda, ndërsa gjatë punës së tij si prokuror në Lezhë ka hetuar një sërë çështjesh të rëndësishme përfshirë dhe tjetërsimin e pronave në zonën e Ranës së Hedhun në Shëngjin, ku u prangosen disa persona mes të cilëve dhe zyrtarë lokalë.