Majko reagon për humbjen e mandatit: U përqëndrova tek fushata për partinë, veten e lashë në plan të dytë

Me një karrierë gati 30-vjeçare, Pandeli Majko, nuk do të jetë deputet në legjislaturën e ardhshme parlamentare.

Mosmarrja e 1 mijë e 200 votave e mbajtën atë larg nga Kuvendi ku gjatë 3 dekadave ka ushtruar funksionin e kryeministrit dhe ministrit.

Edhe pse është ndër 10 kandidatët më të votuar në Tiranë në listën e Partisë Socialiste ai nuk mundi të thyejë herësin, duke marrë vetëm 8 mijë e 766 vota.

Këtë rezultat ai e shpjegon me përkushtimin në fushatë ndaj Partinë Socialiste dhe jo ndaj kandidaturës së tij.

“Isha i bindur se do ti fitonim 19 mandate në Tiranë. Ndaj fushatën për numrin tim personal 19 e kalova në plan të dytë. Edhe për këtë arsye, rezultati nuk është një përrallë që e mposht me logjikë.  Siç do të thoshte im atë ndjesë pastë,… “19-ta kërkon leje për tu ulur në aeroport!" Ju jam mirënjohës që më bëtë ky që jam”.

Edhe pse i renditur nga Edi Rama dhe Erion Veliaj në vend të sigurt, Ervin Bushati nuk mundi ta mbante mandatin e deputetit.

Thyerja e herësit nga kandidatë të listuar shumë larg emrit të tij e nxorën atë nga lista.

Por për Bushatin, rëndësi ka rezultati i Partisë Socialiste për të cilën thotë se punoi pastër dhe drejt.

“Unë si qytetar i Tiranës, i pari i kryesisë së PS Tiranës, punova fort për objektivin e Partisë Socialiste: pastër, drejtë dhe suksesshëm.  PS Tiranë mori një numër rekord votash: +19,042 më shumë se në vitin 2017, falë përpjekjes sonë të përbashkët në këto dy vite bashkë”.

Mimi Kodheli është një tjetër deputete që për shkak të renditjes por edhe numrit të pamjaftueshëm të votave do të mbetet jashtë parlamentit për 4 vitet e ardhshme.