Navalny fshikullon Putinin para Gjykatës: Rusët e dinë se mbreti është lakuriq
Lideri opozitar rus Aleksei Navalnji u paraqit këtë të enjte përpara gjykatës për të kundërshtuar akuzat e ngritura ndaj tij. Për shkak të grevës së tij të urisë ai tha se tani unë jam thjesht një skelet i tmerrshëm, ndërsa fshikulloi Putinin duke i thënë se rusët e kanë kuptuar se Mbreti është lakuriq.
Lideri opozitar rus Alexey Navalny u paraqit këtë të enjte në gjykatë pas grevës së tij të urisë.
Seanca dëgjimore në apel ishte për kundërshtinë e tij ndaj akuzave për shpifje dhe fyerjen e një veterani rus të Luftës së Dytë Botërore.
Në fjalën e tij, kritiku i Kremlinit tha "Unë jam thjesht një skelet i tmerrshëm", duke u shfaqur i tronditur në ekran.
"Do të doja të them, gjykata ime e dashur, se mbreti yt është lakuriq. Tashmë miliona njerëz po bërtasin për këtë sepse është kaq e qartë," tha Navalny duke iu referuar presidentit Putin.
Si pasojë e grevës së urisë ai tha se kishte humbur 72 kilogram nga pasha e tij trupore, dhe se kishte kërkuar ndonjë frut nga institucionet e burgut për ta ndihmuar të rikuperohej nga greva e tij e urisë, por nuk kishte marrë asgjë.
Javën e kaluar politikani 44-vjeçar përfundoi grevën e tij të urisë tre-javore, ndërsa mjekët i dhanë ultimatum, nëse vijonte grevën do të mund të vdiste nga momeni në moment.
Gjykata rrëzoi ankesën e Navalnyt kundër dënimit për shpifje. Ndërkohë, më herët, rrjeti i tij politik anti-korrupsion u shpërbë me vendim gjykate, duke e shpallur atë një organizatë "ekstremiste".
Kritiku i Kremlinit u dënua në fillim të këtij viti me dy vjet e gjysmë burg për shkelje të kushteve të një dënimi të mëparshëm me kusht.
Ai u arrestua në janar menjëherë pas kthimit të tij në Moskë nga Berlini, ku kaloi pesë muaj duke u rikuperuar nga helmimi me Novichok.
Arrestimi i tij shkaktoi një seri demonstratash masive në të gjithë vendin.

