Bënë selfie në skenën e vrasjes së dy motrave, dy policë nën hetim
Dy anëtarë të policisë së Londrës akuzohen për kryerjen e një vepre të rëndë gjatë ushtrimit të detyrës pasi bënë një selfie në skenën e një vrasjeje të dyfishtë dhe më pas e shpërndanë foton, njoftoi sot prokurori britanik.
Nën akuzë janë Pc Deniz Jaffer, 47 vjeç dhe Pc Jamie Lewis, 32 vjeç, nga Policia Metropolitane.
Ngjarja për të cilën akuzohen ka të bëjë me vrasjen e dyfishtë të motrave Nicole Smallman, 27 vjeçe, dhe Bibaa Henry, 46 vjeçe.

Të dy gratë u therën me thikë në Fryent Country Park në Wembley, në Londrën veriperëndimore, në orët e para të 6 qershorit të vitit të kaluar.
Pas arrestimit në 22 qershor të vitit të kaluar nga IOPC, të dy oficerët u pezulluan nga detyra.
Sipas mediave britanike, të pandehurit morën një seflie pranë kufomave dhe më pas e postuan foton në WhatsApp.
Nëna e viktimave, Mina Smallman, i tha BBC qershorin e kaluar se oficerët e policisë i kishin trajtuar vajzat e saj në mënyrë çnjerëzore. Ajo e lidhte këtë ngjarje edhe me racizmin.
Një 18-vjeçar, Danyal Hussein, është akuzuar për vrasjen dhe pritet të dalë në gjyq në qershor.

