Miratohet marrëveshja Post-Brexit, bashkëpunimi tregtar mes Anglisë dhe BE do të vazhdojë
Parlamenti Europian do të vazhdojë të zhvillojë në të ardhmen tregti të lirë me Britaninë, edhe pas largimit të saj nga unioni i përbashkët.
Marrëveshja post-Brexit u votua nga 660 eurodeputetë, 5 kundër dhe 32 abstenuan.
Ajo garanton lëvizje të lirë për shumicën e mallrave të prodhuara në dy anët e kufirit, por është më kufizuese për sa i përket sektorit të shërbimeve dhe standardeve që duhet të përmbushin eksportet britanike drejt BE-së.
"Votimi i sotëm është hapi i fundit, por edhe fillimi i një kapitulli të ri. Mund ta shohim atë si pikën kulmore të raporteve tona për dekadat që vijnë, ose si themelin e një partneriteti të fortë që bazohet mbi vlera dhe interesa të përbashkëta," tha presidentja e Komisionit, Ursula von der Leyen.
Edhe kryeministri britanik, Boris Xhonson, e përshëndeti votimin në Bruksel, duke shtuar se "pakti tregtar i jep stabilitet marrëdhënies së re me BE-në, dy partnerëve jetikë tregtarë, aleatëve të ngushtë dhe sovranë."
Britania u largua nga Bashkimi Europian janarin e kaluar në bazë të referendumit të vitit 2016.
Largimi mësohet se është shoqëruar me një ulje të ndjeshme të shkëmbimeve ekonomike dhe vazhdojnë tensionet mes palëve në lidhje me lëvizjen e lirë të personave, të drejtat e peshkimit në ujërat britanikë dhe pozitat e Irlandës Veriore, provincës angleze që tani i nënshtrohet rregullave doganore të BE-së.
