Biden shpalos vizionin për Amerikën

Presidenti amerikan, Joe Biden,  i ka prezantuar Kongresit axhendën e tij për rimëkëmbjen e ekonomisë, drejtësi sociale dhe siguri gjeopolitike.

Fjalimi i demokratit Biden  me rastin e 100 ditëve në krye të shtetit nisi duke iu referuar krizës prej pandemisë dhe 570 mijë viktimave të saj.

"Por sot, mund t'ju them se prej jush, popullit amerikan, ne arritëm suksese kundër një prej pandemive më të këqija në histori. Mund t'ju them se Amerika është sërish në lëvizje," tha Joe Biden.

Demokratët i shohin të nevojshme reformat në sistemin policor, posedimin e armëve, adresimin e emigracionit dhe uljen e tensioneve racore.

Për daljen nga kriza, Biden premtoi triliona dollarë për punësimin, për të përmirësuar infrastrukturën, për kujdesin social dhe shëndetësor, zotime të cilat ai tha se do të financohen nga rritja e taksave për të pasurit.

"Nuk do të rritim taksat e personave që fitojnë më pak se 400 mijë dollarë. Por është koha që kompanitë amerikane dhe 1-përqindëshi më i pasur të paguajë atë që i takon," tha Joe Biden.

SHBA-ja në të ardhmen do që të vazhdojnë të mbetet një epiqendër e gjeopolitikës dhe synon raporte të mira me rivalët si Rusia apo Kina.

"Në lidhje me Rusinë, unë ia kam bërë të qartë Putinit se nuk kërkojmë t'i përshkallëzojmë raportet por veprimet e tyre do të kenë pasoja. Edhe presidentit Shi Xhinping i kam thënë se do kemi një prezencë të madhe ushtarake në Indo-Paqësor, sikurse bëjmë me NATO-n në Europë, kjo jo për konflikt, por për ta parandaluar atë," tha Biden.

Fjalimi i Bajdenit para Kongresit u vlerësua si ambicioz dhe vizionar nga pjesëtarë të partisë së tij, ndërsa kundërshtarët republikanë paralajmëruan se do ta pengojnë zbatimin e reformave të propozuara nga demokratët.

"Presidenti na premtoi një komb unitar, se do i ulte temperaturat, se do i qeveriste gjithë amerikanët pavarësisht nëse e votuan. Por pas tre muajsh, ai dhe partia e tij po na ndajnë më shumë, duan të na taksojnë më shumë, por e ardhmja jonë më e mirë nuk do vijë prej skemave të Uashingtonit dhe as prej ëndrrave socialiste," tha senatori republikan, Tim Scott.