Rezultati i zgjedhjeve/ DASH përgëzon Shqipërinë, Kim uron Ramën dhe vlerëson Bashën

Ned Price, zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit ka përgëzuar Shqipërinë për procesin e zgjedhjeve të 25 prillit. Në një postim që ka bërë në rrjetet sociale, Price shkruan se SHBA shpresojnë të vazhdojnë partneritet me Kryeministrin Edi Rama.

“SH.B.A. përgëzon popullin e Shqipërisë për zgjedhjet e tyre të fundit. Ne shpresojmë të vazhdojmë partneritetin tonë të ngushtë me Kryeministrin Rama dhe të përgëzojmë fushatën e fortë të opozitës."- shkruan ai.

Më tej Price shkruan se respektimi i rezultateve të zgjedhjeve legjitime forcon demokracinë e Shqipërisë.

"Respektimi i rezultateve të zgjedhjeve legjitime forcon demokracinë e Shqipërisë.”- shton ai.  

Mesazhin e tij e ka shpërndarë edhe Ambasadorja Yuri Kim, në rrjetet sociale, teksa ka përgëzuar edhe Kryedemokrati Lulzim Basha për udhëheqjen e një fushate të fortë.

“Ne e përgëzojmë kryeministrin Edi Rama dhe PS në fitoren e tyre elektorale. Ne gjithashtu përgëzojmë Kryetarin e PD-së, Lulzim Basha për udhëheqjen e një fushate të fortë që u dha zë shumëkujt & frymëzoi shpresë. Më e rëndësishmja, ne përgëzojmë popullin shqiptar, i cili foli qartë.

Duke njohur rezultatet e këtyre zgjedhjeve dhe duke bashkëpunuar me njëri-tjetrin, udhëheqësit do të veprojnë me përgjegjësi për të mirën e popullit shqiptar. Ne shpresojmë të punojmë me Shqipërinë për të forcuar më tej bashkëpunimin mbi demokracinë, mbrojtjen dhe biznesin. Prisni raportin final të OSBE, i cili duhet të përdoret për të përmirësuar më tej zgjedhjet e Shqipërisë. Ne përsërisim që instancat ligjore duhet të ndjekin penalisht cilindo që shkeli ligjin dhe pengoi të drejtën e qytetarëve për të votuar lirshëm dhe në paqe,”-shkruan Kim në postimin e saj. "