Gjenevë, ngecin bisedimet për Qipron, shefi i OKB: Nuk gjetëm dakordësi

Turqia nuk po gjen mbështetje për idenë e ndarjes së Qipros në dy shtete sipas përkatësisë etnike.

Në Gjenevë u zhvilluan bisedimet joformale mes diplomatëve të Turqisë, Greqisë, Britanisë, Republikës Qipriote dhe asaj Turko-Qipriote.

Pas samitit treditor, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, tha se do të tentojnë pas disa muajve të zgjidhin problemin që vazhdon t'i ndajë palët prej gjysmë shekulli.

"E vërteta është se në fund nuk u gjet dot dakordësia për fillimin e negociatave formale. Megjithatë axhenda jonë është e thjeshtë: të luftojmë për sigurinë dhe mirëqenien e palëve."

OKB-ja përpiqet prej dekadash të bëjë bashkë Qipron e ndarë në jug dhe në veri mes grekëve dhe turqve, duke qenë një faktor destabiliteti në Mesdheun Lindor dhe burim tensionesh mes Turqisë dhe Greqisë, dy aleatëve të NATO-s.

Pala turko-qipriote ka apeluar që t'i njihet pavarësia dhe sovraniteti pjesës veriore, por këtë e kundërshton si OKB-ja, edhe BE-ja.

Ndërkohë qeveria greko-qipriote ka hedhur idenë e krijimit të një federate qipriote.

"Ankaraja nuk bën kompromis me pavarësinë, sovranitetin dhe barazinë e Republikës Turke të Qipros Verior," kundërshtoi të enjten Ministria e Jashtme e Turqisë.