"U ndjeva e lënduar" / Presidentja e Komisionit të BE-së akuzon për seksizëm Erdoganin dhe Presidentin e Këshilit Evropian

 

Presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen, akuzon për seksizëm Presidentin turk, Rexhep Taip Erdogan dhe Presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel.
Ursula von der Leyen, bëri deklaratën gjatë fjalimit që mbajti dje në Parlamentin Europian.

Presidentja e Komisionit hodhi akuza për seksizëm në Ankara, në fillim të këtij muaji, ku ajo gjatë takimit me Erdoganin,u veçua nga burrat e tjerë dhe u ul në divan dhe jo në karrige si Erdogani dhe Charles Michel.
Gjatë fjalimit të djeshëm ajo tha: "Kjo ndodhi sepse unë jam grua".
Në rrëfimin e saj më të detajuar të incidentit që u bë i njohur si "Sofagate", ajo tha se priste të trajtohej si Presidente e Komisionit Evropian, gjë që nuk ndodhi.

"Unë nuk mund të gjej justifikime për mënyrën sesi u trajtova në traktatet e BE, kështu që duhet të konkludoj se kjo ndodhi sepse unë jam një grua. A do të kishte ndodhur kjo nëse do të kisha veshur një kostum dhe një kravatë?", tha ajo.
Video, e vizitës në Ankara, e cila u bë virale, tregon se von der Leyen u befasua kur të dy burrat, Michel dhe Erdogan u ulën në dy karriget e vetme që ndodheshin në dhomë.

"Unë u ndjeva e lënduar, u ndjeva dhe e vetme si grua dhe si evropiane," tha von der Leyen.
Në fjalimin e tij në Parlamentin e BE, Michel kërkoi falje për atë që ai e quajti si "incident protokolli".
Ai u zotua për mbështetjen e tij totale, të plotë dhe absolute për gratë dhe barazinë gjinore dhe tha se do t'i shtynte vendet anëtare të bëjnë përparim në çështjet e barazisë gjinore, të tilla si transparenca e pagave dhe prania e më shumë grave në bordet e kompanive. Mishel gjithashtu tha se do të shikonte një propozim për të ngritur takime të këshillit mbi barazinë gjinore.