Më 24 korrik 2022 Meta i rikthehet LSI
Ilir Meta do të rikthehet në LSI, por më 24 korrik 2022, pikërisht ditën kur zyrtarisht i mbaron dhe mandati për president.
E njoftoi zëdhënësi i Presidentit Tedi Blushi përmes një postimi në facebook.
Në postim thuhet se ishte e pritshme tjetërsimi i votave se nuk u morën masat e duhura për parandalimin e këtij krimi të rëndë por ndërkohë falenderon dhe kryetaren e LSI-së për reflektimin.
"Presidenti i Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta falenderon Kryetaren e LSI, znj.Monika Kryemadhi për reflektimin e saj lidhur me lënien e mandateve dhe bojkotin e zgjedhjeve vendore, që e mbifuqizuan pushtetin e Kryeministrit dhe i lehtësuan bërjen e shumë ligjeve korruptive me porosi dhe në interes vetëm të oligarkëve dhe blerjes së zgjedhjeve."
"Presidenti Meta shpreh keqardhjen për tjetërsimin masiv të votave, por kjo ishte e pritshme, për më tepër, që nuk u morrën masat e duhura për parandalimin e këtij krimi të rëndë zgjedhor."
Presidenti Meta e quan të ndershme dhe model fushatën e LSI dhe "sidomos rreth 110 mijë qytetarët, të cilët i rezistuan presionit të mafies, bandave, diskriminimit mediatik, survejimit dhe presioneve policore" thuhet në postimin e zëdhënësit Blushi.
Zedhënësi i tij, Tedi Blushi shkruan se Meta më 24 korrilk 2022 do tu bashkohet përpjekjeve të të rinjve dhe të rejave për Shqipërinë e Shqiptarëve.
"Presidenti Meta në respekt të sakrificave për demokracinë, që ka bërë LSI, i njofton të gjithë anëtarët dhe simpatizantët e saj se më 24 korrik 2022 do të rikthehet për të marrë kartën e anëtarësisë së LSI dhe do t'u bashkohet përpjekjeve të të rinjve dhe të rejave për Shqipërinë e Shqiptarëve"
Zyrtarisht Presidentit Ilir Meta i mbaron mandati më 24 korrik 2022.



