Ish kryetarit të Kushtetueses, Dedja, i sekuestruan apartamentin në Kavajë. Lulos dyqanin në Durrës - Tiranë

Ish kryetarit të Kushtetueses, Dedja, i sekuestruan apartamentin në
Një dyqan dhe një apartament i janë sekuestruar dy ish anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. 

Ish gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese Fatos Lulo i është sekuestruar një njësi dyqan 172 metra katrorë në rrugën e Durrësit, Tiranë.

Vendimi i sekuestros së kësaj pasurie dhe që mban nr 7 u mor nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar më 20 prill 2021.

Kjo gjykatë pranoi kërkesën e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë.

Ndërkohë ish kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja i është sekuestruar  një apartament me sipërfaqe 60 m2, e ndodhur në zonën Kryemedhenj, Njësia Administrative Golem Kavajë.

Ky vendim me nr 8, që pranon kërkesën e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë është marrë më 20 prill 2021.

"Nga hetimi penal i kryer, rezultuan të dhëna që këta subjekte kishin në pronësi pasuri të paluajtshme, të cilat nuk i justifikonin me burime të ligjshme, apo pasuri që i kanë fshehur. Për këtë arsye, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, paraqiti në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, kërkesat përkatëse për sekuestrimin e pasurive në zotërim/pronësi të këtyre tre subjekteve" thuhet në njoftimin e sotëm. 28 prill të SPAK. 

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar kishte regjistruar procedimin penal nr.137  në 7 prill 2020 për veprën penale të “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim” të parashikuar nga neni 257/a/2 të Kodit Penal.

"Duke qënë se shtetasit Fatos Lulo (ish – gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese), Bashkim Dedja (ish – Kryetar në Gjykatën Kushtetuese) dhe Shkëlzen Selimi (ish – gjyqtar në Gjykatën e Lartë), janë hetuar, për kryerjen e veprës penale të parashikuar nga neni 257a/a/2 të Kodit Penal, dhe për këtë arsye në bazë të nenit 3/1, gërma (d), të ligjit nr.10192 datë 03.12.2009 “Për parandalimin dhe Goditjen e Krimit të Organizuar dhe Trafikimit Nëpërmjet Masave Parandaluese kundër Pasurisë”, ata janë dhe subjekte të këtij ligji" informon SPAK