"Strategjia jonë ishte e gabuar" Kryemadhi pranon humbjen dhe i kërkon falje Metës: Fitoren e rrëmbyen oligarkët
Monika Kryemadhi e cilësoi si gabim në strategji djegien e mandateve dhe bojkotin e zgjedhjeve vendore në vitin 2009, duke theksuar se ato ndikuan në rezultatin e zgjedhjeve. Kryemadhi tha se opozita i la krejt pushtetin qeverisë së korruptuar dhe oligarkëve, ndërsa hodhi akuza për manipulim të votave. Ndërsa në kampin blu këkrohet dorëheqja e Lulzim Bashës.
Daljen e parë pas humbjes së zgjedhjeve të 25 prillit dhe rënies drastike të mbështetjes së qytetarëve, kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, e nisi me pendesë për një nga aktet më të diskutuara, djegien e mandateve në shkurt të vitin 2019.
Kjo, tha ajo, mundësoi që zgjedhjet të merren sërish nga oligarkët.
"Patëm një strategji të gabuar, duke filluar që nga djegia e mandateve, mos marrja pjesë në zgjedhjet lokale, gjë që në mënyrë të qëllimshme, i dhamë dashje pa dashje të gjitha pushtetet në dorë Edi Ramës, bandave dhe oligarkëve për të tjetërsuar që nga Kushtetuta, për të vazhduar në rrëmbimin dhe grabitjen e pronave të shqiptarëve. Për t’ju dhënë shansin dhe mundësinë jo për të blerë katër vitet e ardhshme me 500 euro votën, por për të blerë 100 vitet e ardhshme me 500 euro votën.
Kjo gjë dhe koha, dhe ky rezultat tregoi që shqetësimi i Presidentit të Republikës ishte i drejtë, për këtë situatë në të cilën ne gjendemi sot. Prandaj, dua që edhe në emër të LSI, edhe timin personal, ti kërkoj falje për këtë çast, për këtë veprim dhe për këtë qëndrim, i cili nuk solli gjë tjetër veçse 70 për qind të ndryshimit që donin shqiptarët, 70 për qind të shqiptarëve që donin ndryshimin, nuk solli gjë tjetër, por solli vetëm rrëmbimin dhe fitoren e zgjedhjeve nga bandat kriminale dhe nga oligarkët" tha Kryemadhi.
PD dhe LSI, kanë kërkuar nga kqz vënien në dispozicion të materialeve video në qendra votimi dhe numërimi. Ajo është e bindur se votat e LSI-së janë tjetërsuar.
"Tradhtia më e madhe vjen në tre mandatet e Beratit, të Korçës dhe të Durrësit, ku mandate të cilat i janë grabitur LSI-së, për të nxjerrë Edi Ramën në Durrës".
Humbja e zgjedhjeve e ka trazuar kampin opozitar, ku partitë kryesore janë përfshirë në një debat të brendshëm.
Disa anëtarë dhe ish-anëtarë të Partisë Demokratike, mes tyre edhe ish-presidenti Bujar Nishani, nëpërmjet një deklarate i kërkuan Lulzim Bashës dorëheqjen, duke e akuzuar si shkaktar të zhgënjimit të qytetarëve.
