Sekuestrohet në Tiranë pasuria 1.2 mln $ e Ylli Didanit, tentoi të trafikojë kokainë me nëndetëse në SHBA

Një numër i konsiderueshëm pasurish me vlerë totale rreth 1.2 milionë dollarë u sekuestruan nga policia dhe prokuroria e Tiranës pasi dyshohet se janë përftuar nga aktiviteti kriminal.

Asetet në fjalë mësohet se janë në pronësi të shtetasit Ylli Didani, aktualisht i arrestuar nga  autoritetet e antidrogës amerikane DEA, pasi është i akuzuar për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike nga vendet e Amerikës Latine për në SHBA dhe Evropë.

Në padinë e ngritur nga autoritetet federale amerikane, thuhet se 43-vjeçari Ylli Didani është arrestuar në 31 mars 2021 pasi akuzohet se ka kryer trafik ndërkombëtar kokaine në sasi të mëdha.

Dosja amerikane, përshkruan se Didani ishte drejtues I një organizate ndërkombëtare të trafikut të drogës që lidhte shtetet e bashkuara të amerikës, meksikën, amerikën e jugut dhe europën.

Një prej implikimeve më të rënda kriminale të shqiptarit Ylli Didani, sipas autoriteteve amerikane ishte përdorimi i një droni nënujor dhe nëndetëseve për transportimin e sasive të mëdha të kokainës të destinuara drejt tregut europian.

Në vitet 2019-2020 Didanit i janë bllokuar ngarkesa deri në 3400 kilogramë kokainë  me vlerë mbi 100 milionë dollarë.

Për herë të parë Didani u arrestua në vitin 2015 në aeroportin e Cikagos ndërsa kontrolli në telefonin e tij gjeti foto të shqiptarit me sasi të mëdha dollarësh por edhe imazhe teksa ai mbante në duar një armë ushtarake të gjatë dhe një pistoletë.

Më konkretisht asetet që i janë bllokuar të dyshuarit në Tiranë, janë një njësi tregtare me vlerë të përafërt rreth 1 milion dollarë; një shoqëri sh.p.k dhe një llogari bankare me vlerë rreth 206.000 dollarë.

Ylli Didani është person me precedent penalë pasi në vitin 2017 i janë sekuestruar nga policia e Tiranës 460 mijë dollarë pasi ka qenë i arrestuar në Tiranë për kundërshtim të efektivëve blu, sipas një njoftimi zyrtar të datës 14 Prill 2015.

Personi nën hetim është pronar i ‘US MINERAL SHPK’, minierë në Selenicë të Vlorës përdoret për shfrytëzimin, nxjerrje, prodhimi, përpunimi minerale dhe nënprodukteve te tij.


Pasurite e sekuestruara 

Në zbatim të vendimit të Gjykatës u bë i mundur sekuestrimi i pasurive të luajtshme e të paluajtshme, vlera e të cilave shkon rreth 1.200.000 dollarë, konkretisht:

•Një njësi tregtare me vlerë të përafërt rreth 1 milion dollarë;

•Një shoqëri sh.p.k;

• 1 llogari bankare me vlerë rreth 206.000 dollarë.

Nën drejtimin e Prokurorisë po vijon puna për të zbuluar asete të tjera që këta shtetas dhe familjarët e tyre mund t’i kenë regjistruar në emër të personave të tjerë.