Pas humbjes, Basha merr goditjen e parë nga Nishani: Momenti që PD të çlirohet nga shembulli i paaftësisë
Ish-presidenti, Bujar Nishani, është shprehur i zhgënjyer nga humbja e PD në zgjedhjet e 25 prillit.
Në një postim në facebook, Nishani thotë se është momenti që Partia Demokratike të çlirohet nga shembulli i paaftësisë dhe modelit që po e asgjeson atë pak nga pak.
Nishani: Të dashur miq, rezultati i zgjedhjeve ishte zhgënjim dhe dëshpërim i madh për votuesit dhe mbështetësit e opozitës si dhe një mundësi e pashfrytëzuar për ndryshimin e shumëpritur.
Qeverisja e korruptuar e Edi Ramës do të vijojë të mbajë pushtetin përsëri, pas 8 viteve të skandaleve e dështimeve!
Sot është momenti që Partia Demokratike të çlirohet nga shembulli i paaftësisë dhe modelit që po e asgjeson atë pak nga pak.Sot është momenti që Partia Demokratike të lihet e lirë për tu ringritur në madhështinë që i takon si Parti e Lirisë dhe Rinisë.
Ndërsa Basha deklaroi se beteja sapo ka filluar, Nishani thotë se ai duhej të merrte përgjegjësinë e dështimit të tij personal prej 8 vitesh.
Nishani: Sot përgjegjësi kryesor i 4 humbjeve politike rradhazi vendosi ta mbajë peng Shtëpinë e Lirisë në interes të pushtetit të tij personal! Z. Basha sot duhej të merrte përgjegjësinë e dështimit të tij personal prej 8 vitesh!
Sipas Nishanit, sot Edi Rama mban peng Shqipërinë dhe Lulzim Basha tenton të mbajë peng Partinë Demokratike.
Nishani thekson se Partia Demokratike nuk është pronë personale e një njeriu dhe nuk mund ta marrë peng askush.
Nishani: Ajo është Shtëpia e Lirisë e qindra mijëra shqiptarëve. Askush nuk do të mundet ta marrë atë peng për asnjë arsye, në asnjë formë e me asnjë çmim!


