PS feston fitoren në shesh, Rama falenderon patronazhistët: Thyem rekordin historik, fitorja më e bukur
Mijëra simpatizantë të Partisë Socialiste mbushën sheshin "Skëndërbej" për të festuar fitoren në zgjedhjet e 25 prillit.
Kryeministri Rama tha se kjo ishte fitorja më e vështirë por më madhe dhe e bukur e PS.
E ndërsa këto zgjedhje prodhuan numrin më të madh të votave të pavlefshme, Rama la të kuptohet se këto ishin të PS, por pavarësisht kësaj arritën të thyenin rekordin historik.
Pas kësaj fitorje, Rama nuk harroi të falenderonte edhe ata që ishin kryefjalë e këtyre zgjedhjeve, patronazhistët e PS.
Edi Rama: Kjo është fitorja më e vështirë, më e madhe dhe më e bukur e PS.Me gjithë numrin marramendës të fletëve të pavlefshme të atyre që kanë zgjedhur 12 po kanë gabuar me shenjën e preferencës, ne e kemi thyer rekordin tonë.
Ky është rekordi historik i kësaj skuadre të madhe njerëzish të zakonshëm me fuqinë e jashtëzakonshme të ambicieve për Shqipërinë dhe të një shpirti gare që nuk ka të dytë në këtë vend. Urime me gjithë shpirt dhe një përqafim të madh. Të gjithëve ju këtu dhe kudo unë jam sot krenar si asnjëherë për ju, për çdo vajzë dhe djalë, grua dhe burrë që u angazhua si patronazhist, kordinator, drejtues në këtë fushatë spektakolare dhe që dhanë më të mirën e vet për skuadrën tonë, kampione në fuqi, kampione përsëri.
Por më shumë se asnjëherë jam krenar për shqiptarët, njerëzit e zakonshëm të këtij vendi që me urtësinë, vendosmërinë dhe votën e tyre kaluan një provë karakteri në këtë moment kaq sfuidues për Shqipërinë. Shqipëria votoi, Shqipëria vendosi, Shqipëria fitoi.
Fitoi karakteri ynë si një forcë e pathyeshme edhe përballë fatkeqësive natyrore, fitoi bindja jonë se ky vend bëhet dhe bindja jonë se është misioni ynë ta bëjmë këtë vend, fitoi pakënaqësia jonë me gjërat që nuk shkojnë si një shtysë për të zgjidhur hallet e njerëzve dhe problemet e vendit duke punuar më fort dhe jo duke u ankuar më shumë.
Fitoi durimi ynë i kalitur në vështirësi të mëdha dhe gadishmëria jonë për të derdhur djersë më shumë se të gjithë të tjerët bashkë, fitoi forca më e madhe demokratike, qytetare, politike që shqiptarët kanë krijuar ndonjëherë për Shqipërinë, Partia Socialiste e Shqipërisë. Gëzuar fitoren sepse është e gjitha e juaja.
Por Rama nuk harroi t'u kujtonte socialistëve që kjo fitore duhet merituar në çdo ditë të këtij katërvjeçari që po vjen, duke i shërbyer kujdo pavarësisht nëse e ka votuar PS apo nuk ka votuar fare.
Edi Rama: Mos e harroni kurrë se kjo fitore duhet merituar në çdo ditë të katër viteve që kemi përpara. Është një fitore e madhe dhe e bukur që duhet ta meritojmë duke e bërë natën ditë me punë të palodhur për Shqipërinë dhe me përkushtim të paeupur për shqiptarët, me përulësi dhe respekt ndaj kujdo pavarësisht se për kë ka votuar apo për çfarëdo arsye që nuk ka votuar.
Ndërsa numërimi është drejt fundit, PS ka marrë 74 mandate, PD 59, LSI 4 dhe PSD 3.
