Rama merr mandatin e tretë e premton një Shqipëri kampione në Ballkan, me korridor blu, parqe me energji diellore, porte e aeroporte
Partia Socialiste festoi sot pasdite në sheshin "Skënderbej" fitoren e zgjedhjeve të 25 prillit 2021. Kur kanë mbetur vetëm pak kuti votimi pa u numëruar fitorja e PS-së është e dukshme.
Me fitoren e 25 prillit PS, është partia e parë në Shqipëri prej 1992 që merr mandatin e tretë të qeverisjes.
Një mandat që Rama premton se do të shfrytëzojë për ta bërë Shqipërinë kampione të Ballkanit.
“Ëndrra ime me sy hapur është që Shqipëria të bëhet kampione e Ballkanit, kampione në Turizëm, Agroturizëm, në energji, bujqësi e shërbime cilësore të shpejta e të pakorruptueshme digitale për çdo njeri të zakonshëm të këtij vendi.
Me 4 porta nga qielli e 4 nga deti për udhëtarë e turistë, me dy porta të reja detare për tregtinë në Durrës e Vlorë.
Me korridorin blu të shpejtësisë së lartë nga Muriqani në Milot, Rrogozhinë, Fier e Vlorë. Me dy parqet me energji diellorë në Divjakë, e Durrës, Skavicën në Veri e Tecin me gaz të lëngshëm në Vlorë Shqipëria në 5 -6 vitet e ardhshme mund të hapë me një fuqi të papërmbajtshme portat e të ardhmes së saj.
Ky është një projekt megakombëtar që kërkon energji të madhe njerëzore e politike” tha Rama përpara mbështetësve të tij që i gëzuan fitores.
Patjetër që mandati i tretë është mandat më i fortë që një shumicë ka pasur ndonjëherë që prej 1992 dhe ne do ta realizojmë këtë megaprojekt me energji të jashtëzakonshme që shumica dërrmuese e zgjedhësve sapo na e ka dhënë."
Ftesa per PD
Dhe për të arritur këtë projekt Rama ftoi Bashën të kapërcejë ndasitë dhe të bashkëpunojë për një dekadë të re
“Nëse arrijmë ti bashkojmë forcat me PD-në për të gjitha ato qëllime e objektiva që nuk na ndajnë por na bashkojnë kjo dekadë do të hyjë në histori jo vetëm për çfarë bëmë për Shqipërinë por dhe për çfarë nuk vazhduam të bëjmë kundër interest të saj dhe të qytetarëve të këtij vendi pa dallim.
Dy dasitë e mëdha që vazhdojnë ta bëjnë tokën të rrëshqitshme nën këmbët e Shqipërisë që ka ecur shumë përpara në këto vite por kurrsesi aq sa mund të kishte ecur pa këto dy dasi janë tmerrësisht bash të vështira për tu kapërcyer. Por kaq e tmerrshme është të përpiqemi të mos i kapërcejmë dhe tia lëmë peshqesh gjeneratës tjetër me stafetën tonë.
E para është ndasia e hapur qysh në luftën e parë botërore: “Komunist, nacionalist” si një mallkim që na ndjek nga prapa duke përçarë shqiptarët.
Unë kam lindur shqiptar nuk kam lindur socialist dhe për mua demokratët janë shqiptarë e pastaj demokratë. Prandaj ska ku rri, e keqja e madhe që të flasim shqip me njëri tjetrin sikur të jemi të dy palë armiq të dalë nga i njëjti bark e të kujtohemi për përkatësinë atëherë kur ka vdekur."



