"Komisionerët s'e kanë lexuar mirë kodin penal", Celibashi nxit hetime të thelluara për votat e pavlefshme


Në rrjetet sociale kanë qarkulluar disa video ku shihen komisionerë që bëjnë shenja në fletët e votimit.

Një rast të tillë e denoncoi nga Gjirokastra  kandidati i pavarur nga Vetëvendosja, Kreshnik Merxhani.

Komisioneri Shterëror për Zgjedhjet, Ilirian Celibashi, konfimoi se KQZ ka pasur kërkesë nga Prokuroria për pamjet filmike.

Madje ai nxiti hetime të thelluara për raste të tilla.

Celibashi: Dje ka patur disa kërkesa në lidhje me disa pamje filmike që disponon KQZ mbi procesin e numërimit. Ne kemi pamje filmike për të 92 Vendet e Numërimit të Votave dhe besoj se ato do të ndihmojnë shumë organin e Prokurorisë për të hetuar fenomene të tilla por edhe fenomene të tjera që janë në kundërshtim me ligjin.

Ka pasur shqetësime të tilla kryesisht nga kandidatë të mvbështetur nga zgjedhësit. Personalisht dhe si Komisioner Shtetëror për Zgjedhjet do të inkurajoja dhe të shtyja të kishte hetime të thelluara për raste të tilla. Si duket në veshët e këtyre komisionerëve akoma nuk është lexuar mirë Kodi  Penal.

Deri tani janë mbi 79 mijë vota të pavlefshme, ndërsa Boiken Abazi i VV-së tregoi një ditë më parë dhe skemën sesi numëruesit i bëni të pavlefshme fletët e votimit ku votuesi kishte qarkuar vetëm subjektin politik apo kandidatin e pavarur, duke vënë një x te një prej kandidatëve të një subjekti tjetër politik.