"Nuk shitemi dhe nuk blihemi", Çela i LSI në Shkodër: Mandati im do të jetë për të gjithë, të majtë dhe të djathtë
Pasi siguroi mandatin si deputet në Parlamentin e ri, kandidati i LSI Agron Çela falenderoi qytetarët për mbështetjen dhe ju garantoi që do të jetë zëri i tyre në Kuvend.
"Do të jem besnik i Shkodrës, qarkut tonë dhe tërë miqve tonë të LSI, po njëkohësisht dhe gjithë qarkut tim. Mandati im do të vlejë për të gjithë, edhe për të majtën edhe për të djathtën, edhe për LSI-në, për çdo njeri," tha ai.
Çela u shpreh se vrulli i LSI nuk u ndal në këtë qark pavarësisht mekanizmave që sipas tij Partia Socialiste ka përdorur për të blerë votat.
"Çdonjëri prej nesh e ka pasur një njeri mbrapa, çdo makinë që lëvizte kishte dy makina mbrapa. Shumë e vështirë, po megjithatë përsëri ne arritëm të tregojmë që nuk trembemi, nuk shitemi, nuk blihemi dhe dolëm fitimtarë," tha Çela.
Agron Çela arriti që të marrë mbi 10 mijë vota në Shkodër duke bërë kështu që LSI të ruajë sërish mandatin e saj si në vitin 2017.
