Në Patos nis numërimi i votave për kandidatët, nuk paraqiten numëruesit dhe vëzhguesit e PD

Pas mbylljes së numërimit të votave për subjektet politike dhe koalicionet, këtë pasdite në Patos nisi numërimi i votave për kandidatët.

Procesi ka nisur pa numëruesit dhe vëzhguesit e PD edhe pse u bllokua që në orën 13.00 për shkak të mosparaqitjes së tyre.

Ndërkohë numëruesit dhe vëzhguesit e LSI janë paraqitur.

Nënkryetari i KZAZ -së 60 në Patos, Xhevair  Myrtaj, tha se nuk ishte dakort që numërimi të fillonte pa numëruesit e PD.

Sipas tij, mungesa e tyre lidhet me lodhjen e tyre gjatë procesit të numërimit të votave për subjektet politike dhe koalicionet.

Ndërsa kryetari i KZAZ 60, Shkëlqim Beqiraj, tha se procesi është i ligjshëm dhe përcaktohet në Kod Zgjedhor që në rast se nuk paraqiten numëruesit, numërimi vazhdon edhe me dy numërues.

"PD nuk ka paraqitur numëruesi. Numërimi është ligjor, i bazuar në Kodin Zgjedhor. Është e drejtë e çdo partie të bëjë kontestime por çdo votë kalon në kamera".