LSI humb mandatin në Berat dhe Durrës për pak vota, Celibashi tregon a do të ketë rinumërim të kutive

Në Berat por me shumë gjasa edhe në Durrës, LSI duket se e humbet mandatin e saj për shumë pak vota.

Ilirian Celibashi e la të hapur mundësinë e rinumërimit deri në 10% të Qendrave të Votimit nëse ky subjekt politik do të ketë një kërkesë të tillë.

"Të gjitha subjektet janë në të drejtën e tyre që për çdo pretendim që kanë mbi procesin e numërimit mund të ankimojnë në KQZ" tha Celibashi

"Përtej kësaj, Kodi Zgjedhor ka përcaktuar që qoftë dhe pa shkak mund të hapen kutitë e votimit deri në 10% të QV për të bërë vërtetimin e informacionit të të dhënave që ne kemi nga tabelat e rezultateve të përgatitura nga grupet e numërimit dhe KZAZ me atë çfarë ndodhet realisht."

 

Por nëse nga ky 10% merren indicie dhe prova, rinumërimi nuk përjashtohet edhe në rang qarku

"Nëse do të jetë rrjedhojë e një procesi ankimor dhe një vendimmmarrje që vjen nga shqyrtimi administrativ është e mundur, nuk ka asnjë pengesë ligjore".  Kuptohet bazuar në fakte dhe prova. Apriori 10% të kutive të votimit mund të hapen pa asnjë provë dhe indicie" tha Celibashi 

 

Komisioneri Shtetëror për Zgjedhjet deklaroi se deri sot në mesnatë pritet të përfundojë procesi i numërimit edhe  në Tiranë dhe Durrës, dy qarqet e vetme ku vijon ky proces.