Krimet zgjedhore, 27 kallëzime në SPAK për parregullsi në fushatë e votime
Prokuroria e Përgjithshme njoftoi se institucionet në varësi të saj në rrethe kanë administruar 27 kallëzime për krime zgjedhore. Sipas raportit të organit të akuzës, numri më i madh i denoncimeve ka të bëjë me korrupsionin në zgjedhje por edhe me pengim të subjekteve zgjedhore apo me shkeljen e fshehtësisë së votës.
Prokuroria e Përgjithshme ka bërë një bilanc të hetimeve për krimet zgjedhore në kompetencë të institucioneve të hetimit me juridiksion të përgjithshëm.
Sipas njoftimit, në periudhën 23.04.2021-26.04.2021 prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm kanë raportuar pranë Prokurorisë së Përgjithshme, mbi veprat penale që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve.
Konkretisht në këtë hark kohor, janë evidentuar dy kallëzime për veprën penale “Pengimi i subjekteve zgjedhjore”, dy padi për “shkelje të fshehtësisë së votimit”, tri raste për “Korrupsion aktiv në zgjedhje”, tetë denoncime për përdorim të funksionit publik” dhe një rast për “Pengim të zgjedhësit”.
Prokuroria bën të ditur se në këtë hark kohor ka marrë edhe shtatë denoncime për veprën “Shpërdorim detyre ne lidhje me aktet ligjore per zgjedhjet” dhe një kalëzim për “Kanosje apo dhunim ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje”.
Organi qendror i akuzës bën të ditur se nga referimet në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm për veprat e sipërcituara rezulton se janë regjistruar 8 procedime penale, 18 materiale kallëzuese janë në fazën e verifikimit paraprak dhe 6 materiale kallëzuese i janë transferuar SPAK-ut për kompetencë lëndore.
Prokuroria e Posaçme ka bërë ditur në datën 23 prill se në këtë institucion janë paraqitur 91 materiale kallëzuese, konkretisht 55 padi, ku detajohen 50 raste nga PD, tri nga LSI, një nga PS dhe një nga FRD.
Policia gjyqësore ka referuar në SPAK 10 raste, Presidenti i Republikës 18 raste, si dhe katër kallëzime nga qytetarët.
Për të gjitha denoncimet në lidhje me krimet zgjedhore, SPAK ka njoftuar se ka regjistruar 32 procedime penale për të cilat vazhdon hetimi, ka vendosur mosfillim hetimi përt 7 raste, ka kthyer 15 raste për verifikim në polici, ndërkohë që 23 dosje janë dërguar për kompetencë prokurorive të rretheve si dhe 14 procedime që janë në proces verifikimi.


