Salianji nga Korça: Mirënjohës për qytetarët, kemi rikuperuar më shumë se 7 mijë vota në qytet

Kandidati i Partisë Demokratike për deputet në Korçë Ervin Salianji, ka folur pas përfundimit të numërimit të votave për këtë qark, ku PS ka marrë shumicën e votave.

Në një deklaratë për mediat Salianji, ka shprehur mirënjohen për mbështetjen që i kanë dhënë qytetarët, teksa shton se pavarësisht se PD nuk ka fituar në këtë qark, kjo forcë politike ka marrë më shumë se 7 mijë vota.

“Pas përfundimit të procesit të numërimit padiskutim që nuk jam i gëzuar, por jam mirënjohës për votat dhe për mbështetjen masive të rinjve, të qytetarëve të qarkut të Korçës, të çdo votuesi në Korçë të cilët në një klimë të madhe represioni, në një trysni të madhe nga gjithë shpërdoruesit e pushtetit që paguhen nga taksat e qytetarëve në Korçë duke përdorur dhe elementë të Policisë së Shtetit, të shitblerjes së votës dhe të çdo forme tjetër të intimidimit me mbështetjen e qytetarëve kemi rikuperuar më shumë se 7 mijë vota në qytetin e Korçës dhe për këtë falënderoj çdo votues një më një.

Kemi arritur rezultat të jashtëzakonshëm, do të donim shumë pa diskutim. Kemi bërë përpjekje për të arritur rezultatin më të mirë. Jemi brenda pritshmërive dhe përtej pritshmërive që kemi vendosur si objektiv në zonat që kam mbuluar. Falënderoj çdo lagje dhe çdo zonë, ashtu sikurse çdo pjesë të strukturës dhe çdo qytetar që na ka mbështetur”
, tha Salianji.