“Penalltia” e 25 qershorit, Kreu i Shtetit dhe liderët e politikës, mesazhe paqësore ditën e votimit

Në fazën e parë të procesit elektoral, liderët politikë u shfaqën paqësorë pasi kanë hedhur votën e tyre. Presidenti Meta pasi votoi, u bëri thirrje qytetarëve për pjesëmarrje masive dhe nisi turin e monitorimit nëpër Shqipëri.  Kryeministri Rama e konsideroi penallti votën e 25 prillit, ndërsa  lideri i opozitës Basha tha se shqiptarët votojnë sot për fëmijët e tyre.

I pari nga liderët e nisi Kreu i Shtetit me apelin drejtuar shqiptarëve për të votuar të lire për demokracinë, Kushtetutën dhe Shqipërinë në Evropë.

Meta: Më në fund erdhi kjo ditë e bekuar, e mrekullueshme edhe Zoti na ka ndihmuar sot që sovrani ti ketë kushtet sa më të mira. Barazinë para ligjit na e garanton vetëm vota. Çdo qytetar të votoj i lirë dhe me dinjitet. Ka mundësi të votojë për kandidatët më të mirë. Të votojnë për atë alternativ që besojnë.

Presidenti ka një agjendë që mbivendoset çdo sekond. Sot votimi është një akt patriotik. Sot atdheu mbrohet me votë. Gjithë bvota sot i ka sytë te Shqipëria. Një mbarëvatje e këtij procesi do ta bind Evropën se meritojmë të jemi në NATO.

Pasi hodhi votën Presidenti ashtu siç kishte lajmëruar më herët, ndërmori një tur vëzhgimi të procesit në Elbasan, Shijak e Vlorë, nga ku përcolli mesazhe për pjesëmarrje masive në votime.

Pjesë e monitorimit të zgjedhjeve veç Presidentit ishin dhe këshilltaret e tij të shpërndarë nëpër qarqet e konsideruara si problematike.

Ndërkohë para se të votonte kryeministri Edi Rama me tone paqësore ndryshe nga ato të fushatës iu drejtua qytetarëve me një mesazh në facebook ku u tha të shohin përtej partive e ndasive.

Me vonë kryetari i Partisë Socialiste, pavarësisht rregullit të kodit zgjedhor, për ndalimin e fushatës në këtë ditë të heshtjes zgjedhore doli të votonte me kapelen me numër 12, maskën me inicialet e PS.

E shoqëruar nga bashkëshortja iu drejtua qendrës në Surrel atje dhe ku banon. 

Kreu i qeverisë foli për votë të lirë e të fshehtë edhe pasi hodhi votën në shkollën e Surrelit ku dhe banon në shkollën "Ymer Lala", emri i së cilës u kujton qytetarëve një nga protagonistët e dosjes 184 të shitblerjes së votave në Dibër.  

Rama e konsideroi votën e 25 prillit si një penallti të shqiptarëve, dhe shmangu komentet për një tjetër Kryeministër të shqiptarëve, atij të Kosovës Albin Kurti,  i cili votoi në Tiranë.   

Lideri i opozitës, Lulzim Basha, që synon të marrë drejtimin e qeverisë pas 25 prillit votoi në njësinë 8, nga ku bëri thirrje për pjesëmarrje masive.

Basha: Të gjithë shqiptarët kanë sot në dorë fuqinë e tyre, për fëmijët e tyre dhe për të gjithë vendin. Dilni votoni masivisht. Sot është dita e Shqipërisë. Dilni dhe hidhni votën tuaj.

Edhe ish-kryeministri Sali Berisha u shpreh besimplotë se shqiptarët do ja dalin përballë paligjshmërive.

Berisha: Deri tani votimi po ecën i sigurt drejt fitores me të gjithë grahmat dhe përpjekjet antiligjore.

Monika Kryemadhi e LSI-së votoi në njësinë 5 në Tiranë, në mesazhin e saj përcolli garanci për votën ashtu si dhe për fitoren.

Kryemadhi: Vota e qytetarëve do t’i japë mundësinë të gjithëve që nëpërmjet verdiktit të tyre të çojmë Shqipërinë drejt Evropës.

Si në çdo proces elektoral në Shqipëri, dhe këtë të dielë, liderët e politikës u shfaqën paqësore, ashtu si dhe faza e parë e këtij procesi, ajo e votimit, ndërsa tonet agresive dhe kontestimet e tyre rikthehen në publik, pasi vota futet në kuti.