Apeli i Kumes: Votoni, mos u delegoni të tjerëve të drejtën për të vendosur se cilët do t'u qeverisin



Kur kanë mbetur më pak se 24 orë nga zgjedhjet, Kristaq Kume, ish-kreu i KQZ-së, apelon të gjithë qytetarët shqiptarë të marrin pjesë masivisht në zgjedhje.

I ftuar në Rtv Ora, Kume bën thirrje që këtë të drejtë ta ushtrojnë me përgjegjësi dhe paqësisht.

Kume: Çdo qytetar që nesër do të drejtohet te kutitë e votimit për qeverisësit e të nesërmes, duhet të tregojmë të gjithë së bashku që ne jemi në gjendje të mirësillemi. I bëj thirrje çdo qytetari të tregojë me sjelljen e tij ndaj ligjit dhe kësaj të drejtë kushtetuese që ka seriozitetin maksimal në përdorimin e saj. Të gjithë që kanë të drejtën e votimit të paraqiten në qendrat e votimit dhe të mos ua delegojnë të tjerëve të drejtën e tyre për të vendosur se cilët do ti qeverisin. Kësaj radhe do të votojnë dy herë, subjektin dhe kandidatin në listën e subjektit përkatës.

Tjetërsimin e votës nga ata që administrojnë zgjedhjet e sheh të pamundur për shkak të ashpërsimit të ligjit.

Megjithatë ai nuk kursen një apel për të gjithë ata që do të mund të joshen nga partitë e tyre se do të përballen deri me privim të lirisë.

Kume: Presim që nga ashpërsimi i ligjit të kemi rezultate. Të gjithë janë të ekspozuar përpara mundësisë për tu gjetur dhe identifikuar shkelja ligjore. Sipas kodit zgjedhor, pasi ka përfunduar procesi zgjedhor KQZ është i detyruar të rinumërojë 20% të kutive të numërimit me kërkesë të subjekteve zgjedhore. Shpenzimet janë në kurriz të tyre. Në të gjitha rastet kur mund të gjenden shkelje KQZ denoncon dhe numëruesit do të përballen me drejtësinë dhe drejtësia është shumë e ashpër për ta, shkojnë në burg deri në 5 vjet. Mos të mendojnë se mund të tjerësojnë votën dhe nuk do ti gjejë gjë se kanë mbrojtje partinë. Jo. Kini kujdes administratorë të procesit zgjedhor, jeni të monitoruar gjatë gjithë kohës me kamera.Të mos guxojë asnjëri të abuzojë me detyrën. Ajo çfarë humbisni është shumë e madhe në krahasim me atë që do ti jepni subjektit që do t'ua kërkojë këtë gjë.

Në planin politik ai sheh si rrezik mospranimin e rezultatit zgjedhor nëse diferenca mes fituesit dhe humbësit është e ngushtë.

Apeli i Kumes: Votoni, mos u delegoni të tjerëve të drejtën
Kristaq Kume në studion e lajmeve të Rtv Ora

E kjo sipas tij do të cënonte jo vetëm procesin por do të sillte edhe një klimë të tensionuar paszgjedhore.

Kume: Mund të përplasemi me një situatë të padëshirueshme ku mos të pranohet rezultati nëse ky rezultat është i afërt. E kam fjalën për numër mandatesh dhe jo votash. Kur fituesi nuk është dallueshëm si i tillë humbësi mund të konsumojë shumë më tepër energji për të anatemuar procesin. Siç mund të jetë kryefjalë shitblerja e votës, fenomen që është i zorshëm për tu identifikuar në kuptimin e rëndësisë dhe peshës që ka në rezultatin përfundimtar. Mospranimi i rezultatit bën që gjithë procesi të ms vlerësohet siç do të dëshironim dhe situata paszgjedhore të jetë një situatë shumë e rënduar politike.

Tre milionë e 588 mijë e 869 qytetarë shqiptar kanë të drejtë vote të dielën në 25 Prill. Brenda kësaj shifre përfshihen edhe emigrantët që jetojnë jashtë kufijve.

Si rrjedhojë këtë të drejtë, referuar edhe zgjedhjeve të shkuara pritet ta ushtrojnë rreth 50 përqind e listës, përafërsisht 1 milion e 700 mijë qytetarë. 5199 qendra votimi në 61 bashkitë e vendit do të qëndrojnë të hapura nga ora 7 e mëngjesit e deri në orën 19:00 të darkës.

Intervistoi në studio Xhoi Malësia, përgatiti për online Besjana Kuçana