"Një pikë loti të derdhet nesër, mjerë ju!" Presidenti paralajmëron gjyqtarë e prokurorë: Respektoni ligjin!
Presidenti Ilir Meta ka dalë me një tjetër mesazh për zgjedhjet. Në një postim në facebook ai thotë se kriminelët janë kudo të rrezikshëm, por më të rrezikshmit janë kriminelët e veshur me uniformë, janë ata që gjenden brenda sistemit gjyqësor dhe të prokurorisë.
Me tone të ashpra, Kreu i Shtetit lëshon një paralajmërim të fortë.
Meta: Të dashur Prokurorë dhe Gjyqtarë! Dëgjojeni mirë Presidentin e Republikës! Boll dëgjuat përfaqësuesin e Ndrangheta-s, Don Agaçion. Nëse jo, një pikë gjaku të derdhet nesër, por edhe një pikë loti, mjerë ju! Nesër duhet të jetë Festa e Demokracisë!
Prandaj Meta apelon ti thërrasin mendjes.
Meta: Zbatoni ligjin, qëndroni larg ndikimeve politike, mos u bëni palë dhe ruani integritetin e detyrës.Përmbushni detyrën pa asnjë vonesë dhe mos e detyroni Popullin t'ju arrestojë në flagrancë përmes ligjit, që Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar.
Presidenti i Republikës thotë se është gjithmonë me Kushtetutën dhe Sovranin dhe është gjithmonë gati për të marrë përgjegjësinë për çdo Dekret në mbrojtje të Zgjedhjeve, Demokracisë dhe Popullit nga dhuna e oligarkisë.
Meta: Nesër duhet të jetë Festa e Demokracisë.
Më herët Meta paralajmëroi se pas 25 prillit do të hetohet çdo krim zgjedhor dhe në mënyrë të veçantë çdo mos hetim i krimeve zgjedhore dhe policore para datës së zgjedhjeve.
