Ora e vendimit, gazetarët e Ora News dhe Rtv Ora raportojnë si po ecën shpërndarja e materialeve zgjedhore



Tre milionë e 588 mijë e 869 qytetarë shqiptar kanë të drejtë vote të dielën në 25 Prill. Brenda kësaj shifre përfshihen edhe emigrantët që jetojnë jashtë kufijve.

Deri tani shpërndarja e materialeve zgjedhore po zhvillohet e qetë.

Gazetarët e Ora News dhe Rtv Ora të shpërndarë në qytetet kryesore të Shqipërisë raportuan mbi situatën dhe ecurinë e këtij procesi për gazetaren Matilda Mcini.

 

Bepin Kolvataj raporton për Shkodrën

Janë orët e fundit përgatitore. Në Shkodër në të katër KZAZ që i përkasin bashkisë po bëhet shpërndarja e materialeve zgjedhore. Procesi po ecën me ritme të avashta. Në Shkodër janë 411 Qendra Votimi që duhet të marrin në dorëzim materialet zgjedhore për të qenë në dispozicion të 272 mijë votuesve me të drejtë vote në bashkinë e Shkodrës dhe katër bashkitë e tjera Malësi e Madhe, Vau i Dejës, Pukë dhe Fushë Arrëz.Nuk ka pasur incidente dhe para mesnatës pritet të përfundojë shpërndarja e materialeve dhe në orën 7 të ditës së nesërme të hapen Qendrat e Votimit. Dukagjini ka qenë zona e parë që është bërë shpërndarja e materialeve zgjedhore me mjete të ushtrisë. Forcat politike e kanë përmbyllur zgjedhjen e komisionerëve.I vetmi subjekt që ka pasur pretendime ka qenë LSI, duke hedhur akuza se komisionerët e saj po pengohen dhe intimidohen nga policia.

 

Ronaldo Sharka raporton për Lushnjen

Ndodhem në KZAZ 55 në qendër të Lushnjes, në Muzeun Historik të qytetit. Shpërndarja e materialeve zgjedhore ka nisur me vonesë, në 14:30 për shkak se komisionerët u ndërruan në moment të fundit. Në 19:00 është përmbyllur procesi. Nuk ka pasur incidente. Në Lushnje votojnë rreth 104 mijë persona, votuës për herë të parë janë mbi 3 mijë të rinj.

Iris Rezhda raporton për Korçën

Ndodhem në KZAZ numër 74 që është KZAZ e qytetit të Korçës aty ku janë dorëzua dhe ka përfunduar shpërndarja e materialeve zgjedhore për 103 qendra votimi. Ende vijon shpërndarja në Pogradec, Maliq  dhe KZAZ numër 73 që përfshin fshatrat e Korçës. Ka përfunduar shpërdnarja e materialeve zgjedhore në Devoll, Pustec. Votues për qarkun e Korçës janë 284373 votues dhe qendra votimi 427. Procesi ka vijuar normalisht. Janë 508 punonjës policie në terren prej orëve të para të mëngjesit të sotëm dhe do të vijojnë nesër. Do të ketë patrulla shtesë për personat me Covid për të mos thyer karantinën.

Isa Myzyraj raporton për Durrësin

Janë 358730 qytetarë me të drejtë vote në qarkun me 14 mandate. Jam në KZAZ numër 21 pranë Pallatit të Sportit ku është duke u shpërdarë baza materiale. Ka pasur një vonesë për shkak edhe të tërheqjes së disa komisionerëve në momentet e fundit por po zëvendësohen me shpejtësi të madhe.

Inelda Vallja raporton për Fierin

Ka përfunduar shpërndarja e materialeve zgjedhore në të gjithë qarkun e Fierit.Janë 578 qendra votimi në rang qarku.Të drejtë vote kanë mbi 403 mijë votues.

Jonida Velia raporton për Kukësin

Është shpërndarë baza materiale zgjedhore. Situata paraqitet e qetë. Janë 73 qendra votimi që do të mirëpresin 44 mijë votues.

Marsida Hykaj raporton për Vlorën

Jam në KZAZ 84 dhe 86 te Stadiumi. Shpërndarja e materialeve ka nisur nga dita e hënë.

Edisona Skënderi raporton nga Elbasani

Janë 511 qendra votimi në të gjithë qarkun. Prej orës 13:00 ka nisur shpërndarja e materialeve zgjedhore. Nuk ka filluar ende shpërdnarja e materialeve zgjedhore në KZAZ numër 47 për shkak se nuk janë marrë vesh me personat që do të bëjnë tërheqjen e materialeve. Ka nisur puna për tërheqjen e materialeve numër 47 që përfshin të gjitha njësitë administrative për qarkun e Elbasanit. Ka përfunduar në masën 50% shpërndarja e materialeve zgjedhore në KZAZ  numër 50.

Eriola Nasi raporton nga Fushë Kruja

Në Fushë Krujë, gjimnazi “Shote Galica” materialet zgjedhore nuk kanë ardhur ende. Edhe pse shpërndarja ka nisur që në orën 16:00, ka pasur një paqartësi në një proces verbal por pas sqarimit të KQZ pritet të nisë shpërndarja.