"Efikasitet i ulët", Domi me propozim për Komitetin: Test serologjik falas për ata që kanë marrë vaksinën kineze

Organizata e statistikave “Our World in Data” e renditi të martën Shqipërinë të parën për vaksinimin, duke lënë pas Kroacinë dhe Serbinë.

Ditën e sotme sipas Ministres së Shëndetësisë numri i vaksinimeve në vend ka shkuar në 400,000.

Por për virologun, Arban Domi, ky nuk është një tregues pasi e rëndësishme është me çfarë  vaksinohemi.

Në një lidhje me skype nga SHBA për Ora News, referuar faktit se numri i madh i vaksinimeve në vend është me vaksinën kineze, Domi thotë se përmes saj kthimi në jetë normale është i rrezikshëm.

Domi: Pfizer është nga vaksinat më të mira, përfekte bashkë me Modernën. AstraZeneca është shumë e pranueshme dhe realitivisht efikase. E njëjta gjë, pavarësisht se nuk është aprovuar nga EMA, vaksina ruse Sputnik V.

Mendoj se ajo vaksinë do të jetë minimumi po aq efikase sa AstraZeneca, ndoshta dhe më mirë. Po ti kthehemi vaksinës kineze, nuk kemi të dhëna, nuk kemi të dhëna. Ato të dhëna që kemi lënë për të dëshiruar sepse efikasiteti është shumë i ulët, veçanërisht pas dozës së parë.

Logjika "këtë kemi"nuk është e duhura. Nëse nuk ka efikasitet nuk kemi pse të bëjmë një vaksinë që nuk na mbron ose na mbron jo mjaftueshëm.Personalisht ditën që mora vaksinën e mora për të kaluar 100% në jetë normale jo për të qenë i mbyllur dhe me kujdeset e zakonshme.

Çdo qytetar kur bën vaksinën nuk e bën për të qëndruar i izoluar në shtëpi por për tu kthyer në jetën e përditshme. Me vaksinën kineze kthimi në jetën e përditshme është i rrezikshëm.

Nisur nga efikasiteti i ulët i vaksinës kineze, Domi ka një propozim konkret për Komitetin e Vaksinimit.

"Efikasitet i ulët", Domi me propozim për Komitetin: Test
Virologu Domi intervistë për Ora News me gazetaren Matilda Mcini

Domi: Duke njohur efikasitetin e ulët të vaksinës kineze dhe një të dhënë tjetër që nuk flitet shumë në media është se një numër i madh i të vaksinuarve me vaksinën kineze nuk kanë pasur antikorpe fare.

Të gjithë duhet të bëjnë një test serologjik tre javë pas dozës së parë dhe tre javë pas dozës së dytë për të parë nëse kanë antikorpe dhe nëse i kanë të nevojshme për tu kthyer në jetën e përditshme si para pandemisë.

I sugjeroj Komitetit që të gjithë shtetasit shqiptarë të vaksinuar me vaksinën kineze t'u krijohet mundësia të bëjnë testin serologjik falas tre javë pas dozës sxë parë dhe tre javë pas dozës së dytë.

Është folur shumë për mpiksjen e gjakut në tru nga vaksina AstraZeneca, por virologu Domi i konsideron raste sporadike, të papërfillshme.

Domi: Për AstraZeneca dhe Johnson & Johnson rastet sekondare me trompoza në tru janë shumë të ulëta, një në 600 mijë individë.

Kjo vaksinë konsiderohet e sigurt por është e nevojshme që qytetarit ti tregohen paraprakisht avantazhet dhe disavantazhet dhe është e drejtë e qytetarit të marrë vendim. E përsëris, AstraZeneca është shumë vaksinë e sigurt.

Nga ana tjetër Domi thotë se pas zgjedhjeve të 25 prillit, në Shqipëri është i nevojshëm një diskutim dhe analizë për mënyrën e menaxhimit të pandemisë në përgjithësi dhe vaksinimit në veçanti.