"Përjashtohen" nga vota, mbi 23 mijë pacientë me Covid s'marrin pjesë në zgjedhje
Të infektuarit me Covid, emigrantët dhe personat me probleme me ligjin nuk do të kenë mundësi të votojnë të dielën e 25 prillit.Të drejtën e votës do ta kenë mbi 3.5 milionë shqiptarë, nga të cilët 107 mijë u drejtohen kutive të votimit për herë të parë.
Të dielën jo të gjithë do të kenë mundësi t`i drejtohen kutive të votimit për të shprehur vullnetin e tyre.
Pandemia privon nga kjo e drejtë kushtetuese mbi 23 mijë persona të cilët aktualisht janë të infektuar me koronavirus dhe në datën 25 nuk lejohen të dalin nga banesat e tyre.
Autoritetet nuk e mundësuan votimin e kësaj kategorie me argumentin se nevojiten ndryshime ligjore në Kuvend.
Vendimi i Komitetit Teknik të Ekspertëve pak ditë më parë penalizoi nga e drejta e votës emigrantët shqiptarë nga Greqia dhe Maqedonia e Veriut.
Sipas ekspertëve ata duhet të qëndrojnë dy javë në karantinë nëse vijnë në Shqipëri për shkak të rrezikut që mund të paraqesin për të tjerët.
Ky vendim, u shprehën ekspertët , pas shifrave të larta të infektimit në këto dy shtete.
Edhe këto zgjedhje politika nuk mundi të gjejë konsensus për të garantuar votën e emigrantëve kaq shumë e premtuar prej vitesh.
Sakaq të privuar nga e drejta për të votuar janë edhe mbi 1 mijë shtetas, të cilët nuk janë të përfshirë në lista për shkak të dekriminalizimit.
Janë mbi 3 milion e 500 mijë shqiptarë me të drejtë vote ndërsa 107 mijë prej tyre u drejtohen kutive të votimit për herë të parë ditën e dielë.

