Ngjarja në Elbasan, Meta apel prokurorisë: Të zbardhet menjëherë, keni përgjegjësinë e plotë përpara popullit dhe ligjit

Presidenti Ilir Meta i ka bërë thirrje Prokurorisë së Përgjithshme, SPAK dhe Policisë së Shtetit të zbardhin urgjentisht ngjarjen e Elbasanit, ku dy ditë më parë mbeti i vrarë Pjerin Xhuvani.

Kreu i Shtetit thotë se çdo zvarritje apo mosveprim rrezikon të frymëzojë elementët kriminalë në cenimin e procesit zgjedhor.

“Në Republikën e Shqipërisë, të gjithë janë të barabartë përpara ligjit dhe duhet të japin llogari përpara tij! Ndaj, me shumë përgjegjshmëri, ju kërkoj: Të veproni menjëherë për të zbardhur ngjarjen dhe përgjegjësinë e çdo individi të përfshirë në të! Kjo është ngjarja më e rëndë që ka ndodhur në këtë proces zgjedhor”

Në reagimin e publikuar në rrjetet sociale Presidenti Meta ngre disa pyetje lidhur me ngjarjen.

A janë të përfshirë në këtë ngjarje, persona me precedentë penalë?

A janë këta persona të përfshirë në këtë ngjarje, të njëjtët që shoqëronin Kryeministrin më 14 mars, “Ditën e Verës”?

A duhet Prokuroria e Posaçme (SPAK), të fillojë hetimet, pasi në këtë ngjarje mund të jenë të përfshirë edhe funksionarë të lartë të shtetit dhe deputetë?

Ai thotë se këto pyetje duhet të marrin përgjigje të plota nga organet ligjzbatuese teksa thekson se vota e lirë dhe legjitimiteti i zgjedhjeve nuk duhet të rrezikohen nga ngjarje si ajo e Elbasanit.