Plagosi 5 persona, Rudolf Nikolli del para Gjykatës: Më përndjekin myslimanët
Prokuroria ka caktuar masën e sigurisë 'Arrest me burg" për Rudolf Nikolli, i cili plagosi pesë persona mesditën e 19 prillit në xhaminë “Dine Hoxha”.
Burime bëjnë me dije se ai akuzohet për kryerje të akteve terroriste. Ngjarja për të cilën akuzohet ëashtë fiksuar edhe nga kamerat e sigurisë.
I arrestuari ka pranuar ngjarjen, sakaq gjatë dëshmisë që ka bërë është shprehur se ka shumë kohë që disa mysliman e përndjekin në shtëpinë ku jeton. Rezulton se Nikolli ka marrë mjekim në spital psikiatrik dhe për këtë do të kryhet ekspertiza psiqike. Mësohet se ka qenë pacient në spitalin psikiatrik dhe ka marrë mjekim.
Avokati mbrojtës Isuf Shehu ka thënë se i arrestuari ka çrregullime psiqike dhe për këtë nuk duhet të lihet në burg.
"Ka çrregullime psiqike dhe kjo është përcaktuar edhe nga mjektë. Vendosja e një mase të tille do ketë pasoja pasi ka nevojë për trajtim. Kërkojmë një masë me afat me të shkurtër ose shtrimin në një institucion mjekësorë".
Ndërkohë në dëshminë që ka dhënë para Gjykatës, Nikolli, i cili është shfaqur me dorë të fashuar, ka thënë, se atë ditë që kishte bërë plagosjen nuk i kishte pirë ilaçet, dhe se kishte që prej tre javësh në spital.
"Jam dakort me avokatin. Është e vertetë që më perndjekin besimtarët mysliman që prej një viti edhe shteti është ne dijeni. Kam mbaruar shkollën e mesme dhe kam bërë një vit të lartë për gjarmanisht. Kam qenë tre javë në spital atë ditë nuk i kisha pirë ilaçet. Unë nuk desha ta bëja po ata me përndjekin. Ata me ndjekin nga mprapa."
Plagosja e pesëfishtë ndodhi mesditën e 19 prillit në xhaminë “Dine Hoxha”. Rudolf Nikolli, 34 vjeç, nga Burreli, u fut brenda në xhami dhe qëlloi me thikë besimtarë e punonjës të xhamisë, ku për paso pesë persona mbetën të plagosur.
