Ushqime për fushatë? Procedohet penalisht Florenc Hoxha, policia: Dhunoi qytetarin në Vaqarr
Policia e Tiranës ka proceduar penalisht Florenc Hoxhën, pasi akuzohet se ka ushtruar dhunë ndaj një 36-vjeçari.
Ish-kreu i Policisë Bashkiake Florenc Hoxha, përfaqësues i Partisë Demokratike, akuzohet për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje”, sepse ditën e djeshme, shtetasi Bledar Goga ka kërkuar ndihmën e Policisë, pasi disa persona i kishin bllokuar rrugën në lagjen Ibra, fshati Vaqarr, duke e kërcënuar të zbriste nga makina, me pretendimin se në këtë mjet kishte produkte ushqimore që përdoreshin në këmbim të votës.
Nga veprimet e kryera ka rezultuar se ushqimet ishin përgatitur për t’ua shpërndarë për iftar, besimtarëve myslimanë që agjërojnë.
Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore.
