Shehi: Të sillemi si kampionë, ndaj Kukësit për 3 pikë

Në “Elbasan Arena” nesër luhet një sfidë shumë delikate për javën e 28-të të Kategorisë Superiore, ajo mes Kukësit dhe Tiranës ku për bardheblutë është një duel vendimtar për luftën për titull. Trajneri Orges Shehi e di mire rëndësinë e ndeshjes ndaj dhe kërkon që ekipi të bëjë maksimumin, të sillet si kampion dhe të marrë 3 pikët.

“Është një skuadër cilësore pavarësisht se rezultatet i kanë munguar, por në kontingjentin e saj ka lojtarë shumë të mire. Koeficienti i vështirësisë është i lartë, na pret një ndeshje e rëndësishme për ne po aq sa e vështirë, mendoj që skuadra duhet të futet në fushë me kokën ulur duke punuar, por kur të përfundojë sfida të dalin me kokën lart. Kemi fanellën që peshon shumë, jemi kampionët në fuqi dhe gjithmonë duhet të kemi të njëjtën sjellje. Janë 9 finale, dhe si të tillë duhet ta trajtojmë nesër, duhet të mendojmë për të bërë çdo hap dhe jo për vendin e parë, duhet të mendojmë si duhet të ngjitemi sepse jemi ende në vendin e 5-të”.

Lidhur me presionin ndaj skuadrës për rezultate këto javët e fundit, trajneri Shehi e pranon që ka presion por që është diçka normale teksa konfirmoi se ekipi gëzon formë të mire.

“Skuadra është e plotë përveç Dansos, gjendja është e mirë, dhe nga ajo që çfarë kaluam një javë më parë skuadra mezi po e pret këtë takim. Presion? Eshtë normal dhe është i vazhdueshëm, duhet të mendojmë për këtë ndeshje, në përfundim të kësaj të mendojmë për betejën e rradhës”, përfundoi fjalën e tij para gazetarëve trajneri bardheblu.