Fidel Ylli zgjidhet president i KOKSH

Asambleja e Përgjithshme e Komitetit Olimpik Shqiptar zgjodhi Fidel Yllin si presidentin e ri.

Mes kontradiktave të mëdha që ka patur kjo Asamble që përjashtoi nga votimi 4 federata, ku më e rëndësishmja ishte ajo e FSHF-së, që kërkoi dhe më parë shtyrjen e këtij procesi u arrit që me 40 vota, nga 57 të mundshme, Ylli të zgjidhej në krye të KOKSH kundër rivalit Vojo Malo, që mori 12 vota në total, dhe Martin Bibës me 4 vota.


Për zgjedhjen e presidentit të KOKSH-it, nuk pati nevojë për balotazh, për shkak se zoti Ylli siguroi që në raundin e parë më tepër se 50 përqind të votave, duke fituar mandatin e tij për të drejtuar Komitetin Olimpik Shqiptar.
Pas zgjedhjes, Fidel Ylli shprehu dëshirën për të patur në krah federatën më të madhe në vend, atë të futbollit e cila nuk mori pjesë në Asamblenë e KOKSH.
Në fjalën e tij për mediat, Ylli deklaroi se do të bëjë maksimumin për zhvillimin e sportit, përkrahjes së olimpistëve dhe infrastrukturës në vend.