Josa: Kukësi nuk luan për barazim me Tiranën

Fitorja me Kastriotin i dha frymëmarrje Kukësit në kampionat ndërsa tani për ta vjen një sfidë edhe më e vështirë, ajo ndaj Tiranës. Për Mirel Josën është një sfidë ndaj ish ekipit ashtu siç është edhe për Shehin që ka drejtuar verilindorët por tekniku i Kukësit për një duel të tillë lë pas çdo kujtim me kampionët në fuqi të Tiranës.

“Eshtë sfida e radhës për Kukësin dhe nuk e shoh si sfidë me Tiranën. Duhet të jesh në gjendje t’i interpretosh ndeshjet siç duhet. Kemi pasur ndeshje të lehta dhe kemi humbur pikë. Për mendimin tim, çdo ndeshje varet nga gjendja aktuale e skuadrave. Skuadra ka qenë gjatë gjithë periudhës e motivuar, por nuk do të thotë që morëm një fitore me Kastriotin dhe çdo gjë u rregullua. Problem ka qenë mungesa e stabilitetit dhe mosmarrja e rezultateve. Mendoj që ndeshja e nesërme do të më japë mua një përqindje të lartë garancie për vazhdimësi” u shpreh Josa para mikrofonave.

Ndërkohë për të vlen vetëm fitorja ndaj Tiranës duke theksuar se Kukësi nuk luan dhe nuk futet në fushë për të marrë një pikë e gjithashtu pranoi se ka mungesa të rëndësishme në grup.

“Nuk futem në fushë asnjëherë për barazim, po erdhi barazimi për dy skuadrat do të jetë një rezultat jo i mirë, kështu që janë tri pikët që luhen, barazimi është pjesë e lojës. Ndonjëherë më mirë një pikë se pa asgjë. Do të jenë dy mungesa kryesore. Një është Kurdic, i cili ka problem me kartonët, dhe tjetri është e Tsinxaxes, i cili ishte i pafat me incidentin që pësoi dhe do të mungojë 10 ditë”, deklaroi trajneri 57-vjeçar.