Mediu: Në dorë të kujt jemi? Rama ka një mosvlerësim për genin tonë si shqiptarë

Kryetari i PR Fatmir Mediu i cili kandidon i shtati në listën e opozitës në Tiranë u takua me banorët e Paskuqanit ku shprehu shqetësim për rritjet e kostos për jetes dhe papunësinë e thelluar.

" Sot janë me qindra, me mijëra biznese që falimentojnë. Edi Rama ka shkatërruar në këto 8 vjet cdo mundësi për të zhvilluar ekonominë e vendit tonë. Ka shkatërruar sistemin shëndetësor, sepse këtë e ndiejmë sot me pandeminë.

Ka rritur çmimet e ujit, të dritave, të naftës, të cdo gjëje që ne konsumojmë. Pra e ka rritur koston e jetesës në mënyrë të jashtëzakonshme dhe ka thelluar papunësinë.

Në çdo 5 të rinj, 3 janë të papunë. Pra cdo gjë që lidhet me jetën tonë dhe me qeverinë, ne shikojmë vetëm pamundësi, pabarazi, dhe në një kohë kur shoqëria varfërohet, Edi Rama dhe klani i tij vetëm pasurohen, dhe pasurohen me taksat e shqiptarëve.

Edi Rama ka një mosvlerësim për atë që është vlera më e madhe e jona, geni ynë si shqiptarë, si komb, për atë që ne jemi krenuar gjatë gjithë këtyre viteve, Edi Rama thotë sot që nuk vlen."

Mediu u bëri thirrje qytetarëve shqiptarë të bashkohen dhe të marrin pjesë masivisht në votimet e 25 prillit për ti dhënë një ndëshkim regjimit të korruptuar.