Rekrutonte femra dhe i prostituonte në Itali, arrestohet për tu ekstraduar 55-vjeçari në Fier

Kapet dhe arrestohet me qëllim ekstradimi drejt Italisë, një shtetas në kërkim ndërkombëtar, i dënuar me 7 vite e 6 muaj burg, për veprat penale "Grup kriminal", "Shfrytëzim prostitucioni" dhe "Plagosje".

"Nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, në bashkëpunim me Interpol Tirana, në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar, bazuar dhe në informacionet e mara në rrugë policore, u bë i mundur lokalizimi, kapja dhe arrestimi i përkohshëm, me qëllim ekstradimin drejt Italisë, i shtetasit Saimir Mehmeti, 55 vjeç, banues në Fier", njofton Policia.

Autoritetet gjyqësore në Genova, Itali, me vendimin e datës 20.03.2021, e kanë dënuar me 7 vite e 6 muaj burg për akuzat e sipërcituara.

Ky shtetas dyshohet se në bashkëpunim me persona të tjerë, ka rekrutuar dhe dërguar ilegalisht në Itali femra shqiptare, të cilat nëpërmjet dhunës i ka shfrytëzuar për prostitucion.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi drejt Italisë.