Vjedhja e të dhënave personale/ Kodi Penal: Nga 3 deri në 15 vjet burg

Skandali i vjedhjes të të dhënave personale të të paktën 910 mijë votuesve në Tiranë, të cilat janë përdorur nga Partia Socialiste për interesa elektorale, vijon të jetë tema e ditës në vend.

Çështja ka ngjallur polemika politike me opozitën që bën thirrje që zyra e prokurorit special të SPAK të gjejë përgjegjësit. Ndërsa një hetim për rrjedhjen e këtyre të dhënave tashmë ka filluar.

Baza e të dhënave, e cila është në dispozicion në lapsi.al përmban të dhëna personale të qytetarëve nga 19 deri në 99 vjeç, përfshirë numrat e tyre të identitetit, numrat e telefonit personal, kompanitë për të cilat punojnë dhe një përshkrim të shkurtër të asaj me të cilën ata janë afër politikisht dhe sa e mundshme është vota për partinë në pushtet.

Lidhur me këtë skandal ka reaguar edhe avokati Altin Goxhaj, i cili teksa citon Kodin Penal tregon se çfarë ndodh me një person që vjedh të dhënat personale pa pëlqimin apo miratimin e qytetarit.

KODI PENAL

Neni 121

Ndërhyrje të padrejta në jetën privateVendosja e aparaturave që shërbejnë për dëgjim apo regjistrim të fjalëve ose të figurave, dëgjimi ose regjistrimi i fjalëve, fiksimi ose regjistrimi figurave, si dhe ruajtja për publikim i të dhënave që ekspozojnë një aspekt të jetës private të personit, pa pëlqimin e tij, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në dy vjet.Shpërndarja, ofrimi për publikim apo publikimi me çdo mjet ose formë të komunikimit publik apo mënyrë tjetër i të dhënave të marra në mënyrën e përcaktuar në paragrafin e parë të këtij neni, dënohet me burgim deri në tre vjet.Kur vepra penale kryhet nëpërmjet shfrytëzimit të funksionit shtetëror ose shërbimit publik apo nga personi që disponon këto të dhëna për shkak të detyrës shtetërore apo shërbimit publik, dënohet me burgim nga një deri në tre vjet.

Neni 293/a

Përgjimi i paligjshëm i të dhënave kompjuterikePërgjimi i paligjshëm me mjete teknike i transmetimeve jopublike, i të dhënave kompjuterike nga/ose brenda një sistemi kompjuterik, përfshirë emetimet elektromagnetike nga një sistem kompjuterik, që mbart të dhëna të tilla kompjuterike, dënohet me burgim nga tre deri në shtatë vjet.Kur kjo vepër kryhet nga / ose brenda sistemeve kompjuterike ushtarake, të sigurisë kombëtare, të rendit publik, të mbrojtjes civile apo në çdo sistem tjetër kompjuterik, me rëndësi publike, dënohet me burgim nga shtatë deri në pesëmbëdhjetë vjet.

Neni 295/a

Zbulimi i akteve ose të dhënave sekreteZbulimi ndaj të tretëve i të dhënave ose ndihma për të zbuluar të dhënat, të cilat ligji i përcakton si sekret, nga ana e një funksionari publik ose e një personi të ngarkuar me një shërbim publik, në kundërshtim me përmbushjen e rregullt të detyrës ose duke abuzuar me cilësitë e veta, dënohet me gjobë ose me burgim deri në pesë vjet.