Zgjedhjet e 25 Prillit, Kim nga Vlora: Të nxiten qytetarët të votojnë

Vlora dhe Elbasani ishin ndalesat e fundit e ambasadorëve në takimet me shoqërinë civile dhe politikanët.  Në prag të ditës së votimeve, ambasadorja  Yuri Kim por dhe ai i Italisë bën thirrje për pjesëmarrje në 25 prill për të ndikuar në një demokraci më të mirë.

10 ditët e fundit të fushatës elektorale kanë vënë nën ethe jo vetëm politikanët por edhe ambasadorët e akredituar në Shqipëri.

Kryediplomatja amerikane në Shqipëri Yuri Kim ndalesën e radhës e ka bërë në Vlorë, ku me shoqërinë civile diskutoi për integritetin e kandidatëve për deputet.

Në deklaratën për mediat thuhet se në tryeze u diskutua dhe mbi edukimin e votuesve, çështjet e barazisë gjinore dhe rëndësinë e monitorimit të zgjedhjeve.

"Ambasadorja theksoi rolin që shoqëria civile duhet të luajë në zgjedhjet e ardhshme duke nxitur të gjithë qytetarët të votojnë , veçanërisht të rinjtë, duke informuar votuesit për të drejtat dhe përgjegjësitë e tyre, si edhe duke kontribuar për një shoqëri më të drejtë dhe demokraci më të fortë në Shqipëri".

Zërit të ambasadorëve të angazhuar për një proces të drejtë zgjedhor iu bashkua dhe Ambasadori italian.

Në Elbasan ai është takuar me drejtuesit politik të partive kryesore.  Për mediat teksa bëri një paralelizëm me zgjedhjet në vendin e tij, ai tha se janë shqiptarët që duhet të vendosin në 25 prill.

"Shqipëria meriton një qeveri të zgjedhur nga shqiptarët për të zgjidhur problemet e shqiptarëve që ta çojë Shqipërinë gjithnjë e më pranë Evropës. I takon shqiptarëve të mendojnë."

Duke sjellë në vëmendje përplasjet në Ditën e Verës në qytetin e Elbasanit, Ambasadori theksoi se këto janë sjellje të papranueshme ndaj dhe u kërkoi palëve që të përballen me ide dhe jo me forcë.