Masa të tjera lehtësuese, Brataj: Ulja e infektimeve dhe situata e qetë në spitale favorizon normalitetin
Situata e qetë epidemiologjike në vend lë të hapur mundësinë që që në vijim të kemi edhe masa të tjera lehtësuese. Anëtari i Komitetit Teknik të Ekspertëve, Skënder Brataj, thotë se tre spitalet Covid janë të zënë rreth 50% e kapacitetit të tyre, ndërsa vaksinimi ka sjellë 9 përqind imunitet të tufës.
Me uljen e numrit të infektimeve dhe situatën e qetë në spitalet Covid, duket se do të ketë edhe masa të tjera lehtësuese.
Anëtari i Komiteti Teknik të Ekspertëve, Skënder Brataj, thotë se në 3 spitalet Covid në Tiranë janë zënë vetëm 50% e kapaciteteve, ndërsa spitali Covid 4 është thjesht në gadishmëri.
"Treguesit indikatorë janë shumë favorizues për lirim masash, besoj se mund të ketë lirim masash edhe në javët e ardhshme".
Ndërsa pritet të ketë edhe një valë të tretë infektimesh, Brataj thotë se ajo nuk do të jetë e vështirë si dy të parat.
Muajt e verës, shpjegon ai, situata pritet të jetë e qetë.
"Vera do të jetë më e qetë, edhe vetë kushtet e verës e pamë vitin e kaluar, virusi është shumë më i dobët në verë. Duhet të shqetësohemi për vjeshtën, tetorin dhe nëntorin nëse do të ketë mutacione të tjera."
Nga vaksinat e kryera deri tani në vendin tonë, është arritur mbi 9 përqind imunitet i tufës, ndërsa në vijim pritet të ketë më shumë ndikim.
"Jemi mbi 9% të popullësisë së vaksinuar në këtë moment".
Megjithëse është propozuar nga disa shtete për pajisjen me një certifikatë vaksinimi për të gjithë ata që kanë marrë dozën e nevojshme anti-Covid, Brataj tha se kjo është e pamundur të ndodhë, pasi në këtë mënyrë përjashtohen personat nën 18 vjeç.