Databaza e votave të PS, OPGJ-të sekuestrojnë kopjen e serverit të portalit Lapsi.al
Një ditë pas nisjes së hetimit për databazën e votave të Partisë Socialiste, SPAK ka sekuestruar një kopje të serverit të portalit që publikoi skandalin.Ndërkohë grupi i hetimit ka kërkuar të dhëna nga të gjitha institucionet me qëllim verifikimin e mënyrës si janë siguruar dhe si po përdoren informacionet personale të qytetarëve. Kreu i SPAK, Arben Kraja, tha se së shpejti grupi i hetimit do të ketë përgjigje në lidhje me këtë çështje.
Prokuroria e Posaçme SPAK i ka nisur shkresa të gjitha institucioneve për t’i vënë në dipozicion kopje ta databazeve që kanë në përdorim në kuadër të hetimeve për përdorimin e të dhënave personale të qytetarëve në fushatën zgjedhore.
Oficerët e policisë gjyqësore janë paraqitur edhe në zyrat e portalit Lapsi.al, ku kanë marrë një kopje të serverit ku mbahet databaza që pretendohet se është përdorur nga PS për patronazhimin e qytetarëve lidhur me orientimin e tyre të votës.
Lexo edhe- SPAK, letër e-Albanias dhe PS-së: Na vini në dispozicion databazat
Mësohet se shkresë përveç AKSH-it që administron e-Albanian i është dërguar edhe Partisë Socialiste për ti vënë në dipsozicion një kopje të databazeve në mënyrë që të bëhet verifikimi.
Në lidhje me hetimet ka folur edhe kreu i SPAK, Arben Kraja.
“Kanë filluar verifikimet dhe do të ketë përgjigje patjetër.”
Ndërkohë tri ditë pas publikimit të të dhënave të qytetarëve Komisioneri për Mbrojtjen e të dhënave Personale reagoi duke thënë se ka nisur verifikimet.
Sipas zëdhënësit të këtij institucioni që prej datës 1 janar 2021, zyrës së komisionerit i janë drejtuar vetëm dy ankesa nga qytetarët që kanë si objekt thirrjet e pa kërkuara telefonike në kuadër të fushatës zgjedhore.
“Po bëhen të gjitha verifikimet e nevojshme ligjore për vlerësimin zyrtar të dokumentacionit, informacionit apo provave të nevojshme për shqyrtimin eventual administrativ të rastit.”
Për të dyja rastet mësohet se po kryhen procedurat përkatëse ligjore në kuadër të hetimit administrativ.