Rrëshqitje dheu në Tiranë-Elbasan, banorët: Shtëpitë u dëmtuan nga shpërthimet me mina gjatë punimeve në autostradë
Rrëshqitja e dherave në anët e autostradës Tiranë-Elbasan ka qenë prej kohësh problem. Kjo është aktualisht situata vetëm 1 km larg hyrjes së tunelit të Krrabës.
Edhe pse ka kaluar më shumë se një muaj që kur toka pësoi çarjen në anë të rrugës, të vetmet masa të marra nga autoritetet janë këto bordura dhe sinjalistika.
Ngushtimi i këtij aksi përbën rrezik për aksidente të mundshme.
Siç e shikoni edhe nga pamjet, rrëshqitja e dherave rrezikon edhe dy familje të cilat ndodhen sipër kësaj kodrine.
Dy familjet Tafa dhe Velia të fshatit Mushqeta kanë pësuar dëme të konsiderueshme në tokat e tyre.
"Rrëshqitja filloi tani, ka gati një muaj e gjysmë nga shirat, por shkaku është lirimi nga minat sepse ky është vend i fortë dhe më parë s'ka lëvizur fare. Shumë i rrezikuar ndihem sepse e kam 80 metra larg nga themelet e shtëpisë," thotë banori.
"Rrezikohemi sepse ka shkuar deri të rruga që hyn brenda në familje," thotë banori tjetër.
Nga shteti kërkojnë ndërhyrjen e menjëhershme në mënyrë që kjo situatë të mos përsëritet.
"Kërkojmë që t'i bëhet ndonjë rregullim aty që mos ikë më dheu," shprehet banori.
"Kërkojmë sigurinë e vendit, asgjë tjetër, vetëm siguri. Mos rrezikohemi përsëri," thotë banori.