Rikthehet në gjykatë Jurgen Molla, kërkon lirimin me kusht në gjykatën e Shkodrës

Jurgen Molla, biznesmeni i kompleksit Molla në “Yzberisht” është rikthyer sërisht në dyert e gjykatës duke kërkuar lirimin me kusht.

Ora News mëson se Jurgen Molla, i dënuar për trafik droge nga Gjykata e Krimeve të Rënda, ka depozituar në gjykatën e Shkodrës një kërkesë për lirim me kusht.

Kjo është kërkesa e dytë për lirim me kusht që Molla bën brenda një kohe të shkurtër.

Ndryshe nga hera e parë, i dënuari Molla, këtë herë i është drejtuar gjykatës së Shkodrës, pasi është transferuar për të vuajtur dënimin nga burgu i Shënkollit në Lezhë, në burgun e Reçit në Shkodër.

Në kërkesën e tij drejtuar gjyqtarit Sokol Shehu, Molla pretendon se ka kryen 2/3 e dënimit në burg dhe për pasojë plotëson kriteret për të përfituar lirimin me kusht.

Ndër të tjera, Jurgen Molla, mësohet se ka paraqitur dhe disa argument të tjera, që sipas tij përmbushin kriteret ligjore për të fituar lirimin me kusht nga burgu i Reçcit.

Molla pretendon se vuan nga sëmundje të zemrës, ndërkohë sjellja në burg e tij gjatë kësaj kohe të vuajtjes së dënimit sipas tij “ka qenë e mire”.

Jurgen Molla njihet si një nga ndërtuesit e shumtë në Tiranë, që ka ndërtuar pallate, në zonën e “Yzberishtit” Tiranë.

Molla ka qenë pjesë e një grupi kriminal që trafikonte heroinë dhe rezulton i dënuar me 8.8 vite burgim nga Gjykata e Apelit për Krime të Rënda.

Molla është arrestuar në muajin korrik të vitit 2016, ku policia shqiptare deklaroi se në kuadër të operacionit “Ballkan” ishin arrestuar 30 persona dhe 23 të tjerë ishin shpallur në kërkim në Shqipëri, Greqi, Maqedoni dhe Bullgari.

Megjithatë, një pjesë e të pandehurve po ndiqen penalisht në vendet ku janë arrestuar.

Prokuroria e Krimeve të Rënda dërgoi në Gjykatë një sërë provash materiale kundër të pandehurve, së bashku me 189 CD me përgjime telefonike.

Sipas kërkesës për gjykim, provat vërtetonin se Jurgen Molla, Shyqyr Kotorri dhe Anesti Koromani kanë luajtur rolin e financuesve dhe organizatorëve të trafikut të drogës nga Turqia në drejtim të Shqipërisë.

Në njërin prej përgjimeve të dhjetorit 2015, Molla mburrej se kishte paguar 150 mijë euro për transferimin e një prokurori nga Krimet e Rënda në drejtim të Shkodrës.