Dy tendera pa garë me të njëjtin fitues, AKSHI skualifikoi konkurrentët me argumentin se nuk përmbushnin kërkesat
Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit e drejtuar nga Mirlinda Karçanaj ka renditur edhe dy tendera ku skualifikohen të gjithë pjesëmarrësit veç fituesit.
Madje në të dyja rastet që kapin vlerën e 196.8 milionë lekëve kontratat janë siguruar nga i njëjti subjekt, Infosoft Systems.
Për mirëmbajtjen e sistemit të menaxhimit të burimeve njerëzore të administratës publike me fond limit 31.5 milionë lekë, shfaqën interes 3 kompani, dy prej të cilave u skualifikuan me argumentin se nuk përmbushin kërkesat e tenderit.
Në këtë mënyrë fituesi u zgjodh bashkimi i operatorëve “Infosoft Systems” sh.p.k dhe “IkubINFO” me vlerën e paraqitur prej 29.1 milionë lekësh.
Në prokurimin tjetër kërkohej një marrëveshje shërbimi për sistemet informatike dhe buxheti i vënë në dispozicion nga AKSHI ishte parashikuar 177 milionë lekë.
Sërish në garën e AKSHI-t u shfaqën 3 operatorë ekonomikë, 2 prej të cilëve u përjashtuan me po të njëjtin argument, mospërmbushjen e kërkesave.
Kështu i vetmi dhe sigurisht edhe fituesi ishte “Infosoft Systems”, por këtë herë në bashkëpunim me subjektin “Intech +” sh.p.k me ofertën 167.7 milionë lekë.
Të dyja këto prokurime mbajnë në fund firmën e Drejtoreshës së këtij institucioni, Mirlinda Karçanaj.