Veliaj dhunon gazetarët e RTV Ora e Ora News, reagon KSHM: Kufizim paligjshëm i ushtrimit të detyrës

Këshilli Shqiptar i Medias reagon pas intimidimit dhe dhunimit që kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj dhe truprojat e tij i bënë në krye të detyrës gazetarëve të Ora News, Isa Myzyraj dhe Ronaldo Sharka.

Sipas KSHM, teksa merr në konsideratë rastin e Myzyrajt, gazetarit të Ora News i është kufizuar ilegalisht liria e ushtrimit të profesionit, në funksion të informimit me interes publik, në ambiente publike.

Reagimi i plotë:

Në dritën e incidentit të ndodhur dje me gazetarin e Ora News (vjegëza këtu: https://www.oranews.tv/kryebashkiaku-i-tiranes-erion-veliaj-intimidon-e-dhunon-gazetaret-e-rtv-ora-dhe-ora-news/) Këshilli Shqiptar i Medias e ndjen për detyrë të përcaktojë standartet etike të intervistimit, detyrimet profesionale dhe të drejtat e gazetarit që interviston në terren, bazuar mbi Kodin e Etikës së Gazetarit Shqiptar.

  1. Është e drejtë absolute e gazetar it të bëjë pyetje dhe t’i drejtojë mikrofonin kujtdo. Pyetjet e gazetarit duhet të jenë me interes publik.
  2. Personat e zgjedhur në poste publike, e kanë mbrojtjen e privatësisë më të vogël se njerëzit e zakonshëm. Sa më i lartë posti, aq më e vogël rrezja e privatësisë. Personat publikë e kanë për detyrë të përgjigjen pyetjeve me interes publik.
  3. Gazetari nuk mundet të fusë pajisje regjistruese dhe të realizojë regjistrime pa leje në ambientet private të një individi, qoftë ky dhe funksionar publik.
  4. Gazetari nuk mund të pengohet në punën e tij si gazetar, as ti kufizohet liria gjatë ushtrimit të detyrës, aq më tepër kur kjo detyrë realizohet në mjedise publike.

Për sa më sipër, KSHM gjykon që gazetarit të Ora News i është kufizuar ilegalisht liria e ushtrimit të profesionit, në funksion të informimit me interes publik, në ambiente publike.

Lexo edhe: Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj intimidon e dhunon gazetarët e RTV Ora dhe Ora News