Përplasje në qendër të Mamurrasit/ Tre të plagosur mes tyre dy policë
Mbeten të paqarta detaje të ngjarjes së ndodhur sot në mesditë në qytetin Mamurrasit ku mbetën të plagosur tre persona mes tyre dhe 2 policë.
Policia e Lezhës përmes një njoftimi për shtyp sqaron se personi që ka plagosur dy efektivët ka qenë kolegu i tyre.
“Rreth orës 13:35, në qendër të qytetit të Mamurrasit disa persona janë konfliktuar me punonjësit e Policisë të Patrullës së Përgjithshme që ishte me shërbim në qytet.
Një nga punonjësit e Policisë ka nxjerrë armën e shërbimit dhe ka qëlluar dhe për pasojë janë plagosur dy kolegët e tij, I. Z. dhe F. LL., si dhe një nga personat e përfshirë në konflikt, shtetasi N. V., të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën” informon policia e Lezhës.
Është krijuar menjëherë një grup i posaçëm hetimor, i përbërë nga Specialistë të Hetimit në Shërbimin për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme dhe Specialistë të Hetimit në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë, dhe nën drejtimin e drejtuesit të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin, vijon puna intensive në vendin e ngjarjes, duke administruar çdo provë dhe po marrin dëshmi, me qëllim sqarimin në mënyrë të plotë dhe të gjithanshme të kësaj ngjarjeje.
Informacion më të detajuar do të japë Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, në përfundim të veprimeve të para hetimore.
Te plagosur
Të plagosur me armë zjarri kanë mbetur punonjësit e policisë të patrullës Flamur Lleja dhe Ilir Zekaj dhe Nikoll Vorfi.
Ndërsa personat e përfshirë në konflikt janë kushërinjtë e dytë të ish deputetit Mhill Fufi.
Më herët burime nga policia u shprehën se të dyshuar për ngjarjen ishin vëllezërit Gentian Fufi, Besmir Fufi alias Gjoni dhe Rudolf Fufi.
Ora News mësoi se ata ishin shoqëruar në polici mëngjesin e sotëm dhe më pas ishin liruar.
FNSH ne kerkim
Autorët janë larguar me një automjet tip Audi nga vendi i ngjarjes, ndërsa të dhënat e mjetit se bashku me makinën u janë shpërndarë të gjitha pikave të policisë jo vetme në Mamurras por dhe qytete të tjera për të bere ndalimin e tyre
Policet u plagosen ne këmbë
Burime për Ora News shprehen se, policët kanë marrë plagë në këmbë dhe janë dërguar me urgjencë në spital.
Ora News sjell pamje të momentit kur makinat e FNSH-së janë nisur drejt vendit të ngjarjes.
14:30 Por si ndodhi përplasja me armë?
Sipas burimeve, policët kanë qenë në patrullim në qendër të qytetit. Patrulla e Policisë ka ndaluar mjetin me të cilin po lëviznin autorët, por këta të fundit nuk kanë pranuar të ndalojnë.
Fillimisht ata janë përplasur verbalisht me efektivët e Policisë dhe më pas njëri ka qëlluar me armë zjarri, duke plagosur dy efektivët
Të tre personat e plagosur janë dërguar në spitalin e Traumës në Tiranë, ndërsa në vendin e ngjarjes janë forca të policisë së Lezhës, ndërsa FNSH po kreh zonën.
Pritet të sekuestrohen dhe kamerat e sigurisë të bizneseve përreth për të ndihmuar në zbardhjen e kësaj ngjarjeje, informon gazetari i Ora News.